Në një periudhë të pasigurt dhe të ngarkuar, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur edhe si “Gjykata e Tenderëve”, po kalon nëpër një krizë të thellë që po ndikon në efikasitetin dhe funksionimin e tij. Me një numër të madh ankesash të papërfunduara, një ueb faqe me probleme sigurie dhe një staf të reduktuar, ky institucion i rëndësishëm për prokurimin publik në Kosovë është duke u përballur me sfida të mëdha që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, shkruan Demokracia.com.
Një nga problemet kryesore është se vendimet nuk po publikohen në kohë në faqen zyrtare të OSHP-së, edhe pse ato u dërgohen në email operatorëve ankues në mënyrë të rregullt. Skadimi i certifikatës SSL, që garanton lidhje të sigurta ndërmjet përdoruesit dhe uebfaqes, mund të shkaktojë probleme si qasja e pamundur ose e pasigurt në faqen e internetit të institucionit.
OSHP ka treguar për Demokracia.com se ka informuar Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) për problemet me uebfaqen dhe pret që ASHI të zgjidh çështjen e certifikatës SSL së shpejti.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit – OSHP ju sqaron se kemi probleme me uebfaqen zyrtare të institucionit pasi që ka skaduar afati i certifikatës SSL, OSHP menjëherë ka informuar Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) si institucion kompetent, i cili aktualisht është duke e trajtuar kërkesën tonë dhe presim që shumë shpejt ASHI të menjanojë problemet dhe të vendosë certifikatën SSL”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.
Po ashtu, OSHP-ja ka bërë të ditur për Demokracia.com se aktualisht nuk ka asnjë zyrtar të IT të punësuar. Kjo, sipas tyre, pasi po përballet me një numër të madh të dorëheqjeve të zyrtarëve të këtij institucioni, marrë parasysh pagat e vogla.
“OSHP ju sqaron se sistemi për menaxhimin e lendeve (SML) nuk është i lidhur direkt me ueb faqen e OSHP dhe njëherit, ju njoftojmë se OSHP ka angazhuar një zyrtar me pune shtesë, i cili është duke bëre publikimin e të gjitha vendimeve në faqen zyrtare të institucionit OSHP, pasi aktualisht nuk ka as një zyrtar të IT të punësuar”.
OSHP thotë se vazhdimisht i publikon në faqen zyrtare të cituar si mësipër të gjitha aktet dhe veprimet e ndërmarra nga palët (operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktuese) në një aktivitet prokurimi dhe gjithnjë angazhohet që publiciteti dhe transparenca ta karakterizojnë punën e këtij organi, puna e të cilit është mjaft sfiduese, por me rëndësi për interesin publik.
Aktualisht, OSHP ka rreth 194 ankesa që janë në proces shqyrtimi nga Paneli Shqyrtues. Ky numër i madh i ankesave ka ndikuar në pezullimin e tenderëve, çka ndalon ose ngadalëson përparimin e projekteve dhe aktiviteteve që varen nga këta tenderë, duke shkaktuar vonesa në përmbushjen e nevojave të publikut dhe zhvillimit ekonomik.
Kryetarja e Bordit të OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ka dhënë dorëheqje për t’u vazhduar si notere në Ferizaj. Ajo u emërua notere më 15 korrik të këtij viti dhe, sipas Ligjit për Noterinë, ishte e obliguar të dorëhiqej nga pozita e saj zyrtare brenda 30 ditësh nga emërimi. Aktualisht, OSHP-ja është duke operuar me tre anëtarë të Bordit, të cilët gjithashtu funksionojnë si anëtarë të Panelit dhe marrin vendime përfundimtare mbi ankesat.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është një institucion i pavarur që ka për detyrë shqyrtimin dhe vendosjen mbi ankesat dhe mosmarrëveshjet që dalin nga procedurat e prokurimit publik. Ky organ vepron si një nivel i dytë i mbikëqyrjes, ku operatorët ekonomikë që kanë pretendime për shkelje gjatë procedurave të prokurimit mund të parashtrojnë ankesa pas vendimeve të autoriteteve kontraktuese.
OSHP duhet të sigurojë që proceset e prokurimit të jenë të drejta, transparente dhe në përputhje me ligjin, duke i mbrojtur interesat e të gjitha palëve të përfshira në proceset e prokurimit publik. Ky organ luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e integritetit dhe besueshmërisë së sistemit të prokurimit publik në Kosovë.