Një tjetër ndeshje si protagonist, pavarësisht se kritikat për të nuk rreshtin kurrë. Por Kristjan Asllani ka vendosur që të përgjigjet në fushën e lojës për të gjithë.asllaniAi e di shumë mirë që ka mbështetjen e klubit dhe të trajnerit Simone Inzagi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka folur për “SKY” pas ndeshjes së fituar në Pragë kundër Spartës së Qazim Laçit.
“Kur nuk i mbyll ndeshjet është pak e vështirë sepse janë të hapura deri në fund dhe kjo shndërrohet në një problem. Por jemi të lumtur sepse e dinim që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë për t’u fituar. U treguam të zotët dhe morëm në shtëpi 3 pikë të rëndësishme për t’u kualifikuar në fazën e ardhshme të Champions-it”, ka thënë fillimisht Kristjan Asllani.
GRUPI- Më tej ai foli edhe për rëndësinë e të qenit në një skuadër të fortë dhe tregoi objektivat që kanë zikaltrit në këtë Champions.
“Duhet të ndihemi të fortë sepse në fakt jemi të tillë. Të gjithë punojmë shumë mirë gjatë ditëve. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por duhet të luftojmë për të shkuar deri në fund të Champions-it. Interi i di mirë objektivat që ka. Jemi skuadër e fortë dhe duhet t’i marrim të gjitha ndeshjet një nga një. E rëndësishme është që të kualifikohemi fillimisht mes 8 më të mirave dhe pastaj të shohim sa larg mund të shkojmë”, shtoi më tej mesfushori i Kombëtares shqiptare.