Krimi në familje tronditi mëngjesin e 6 gushtit fshatin Shalë të Konispolit ku një çift të moshuarish humbën jetën dhe në pranga ra njëri nga 3 fëmijët e tyre, Klementin Islamaj.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, bëhet me dije se Klementin Islamaj do të akuzohet për “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Policia thotë se Klementini pasi ka parë nënën e tij të pajetë, është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka shtyrë atë nga shkallët e banesës dhe si pasojë e dëmtimeve, 69-vjeçari ka humbur jetën.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së martës, kur gjatë një sherri në banesë, 69-vjeçari, Hysen Islamaj ka goditur disa herë me sëpatë bashkëshorten Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend.
Klementin Islamaj i cili gjendej në kafen e fshatit është kthyer në banesë dhe pasi ka gjetur nënën të pajetë, dyshohet se ka shtyrë nga shkallët të atin, i cili për shkak të goditjes në kokë humbi jetën.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Shals, Konispol, ku shtetasi H. I., 69 vjeç, në banesë, dyshohet se goditi me sëpatë, në kokë, për motive të dobëta, bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 67 vjeçe, e cila si pasojë humbi jetën, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit arrestoi në flagrancë djalin e tyre, shtetasin K. I., 41 vjeç, për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Shtetasi K. I. dyshohet se pasi ka parë nënën e tij të pajetë, është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka shtyrë atë nga shkallët e banesës dhe si pasojë e dëmtimeve, 69-vjeçari ka humbur jetën.