Në Komisionin e Ligjeve po zhvillohet seancë dëgjimore me kreun e SPAK, Altin Dumani. Ky i fundit po raporton raportin vjetor për punën e SPAK gjatë vitit 2023.
Ai theksoi se përgjatë vitit 2023 janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri. Sipas Altin Dumanit, masa arrest me burg zë 49% të totalit. Ndër të tjera kreu i SPAK tha se janë në rritje kërkesat për ekstradim.
‘Do paraqes disa të dhëna për vitin 2023 dhe masat që ka marrë SPAK për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit. SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor. Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurat nga SPAK zënë më pak se 9%.’- tha Dumani.