Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi ka reaguar pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në PZAP në lidhje me certifikimin e Listës Serbe.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se kur vendimet e institucioneve të drejtësisë janë në favor të VV-së, theksohet rëndësia e respektimit të rendit ligjor. Por, kur vendimet “nuk përputhen me interesat e tyre”, bëhet thirrje për shpërfillje.
“Kur vendimet e institucioneve të drejtësisë janë në favor të VV-së, theksohet rëndësia e respektimit të rendit ligjor. Por, kur vendimet nuk përputhen me interesat e tyre, bëhet thirrje të shpërfillen procedurat ligjore në emër të “interesit të përgjithshëm” (lexo: interesit të partisë).
Ky mentalitet reflekton një qëllim të qartë: që institucionet e drejtësisë të veprojnë në funksion të nevojave politike të partisë. Kjo qasje shihet edhe në synimet për reformën në drejtësi, e cila duket më shumë si përpjekje për të siguruar kontroll mbi këto institucione sesa për të përmirësuar pavarësinë dhe efikasitetin e tyre” – ka shkruar ai.