Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar 414 persona që do të angazhohen drejtpërdrejt në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Ky votim, që organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por vendvotimet me stemën e Republikës së Kosovës dhe logon e KQZ-së, do të hapen edhe në Amerikë, Kanada dhe Australi.
Ky lajm është bërë i ditur për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të emëruar përfshihen edhe 184 anëtarët rezervë.
Sipas KQZ-së, përbërja e Këshillave të Vendvotimit në përfaqësi diplomatike është një çështje e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra që duhet të reflektojë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, që iu kanë nënshtruar pragut zgjedhor, që janë certifikuar për të garuar në zgjedhje dhe një zyrtar nga përfaqësia diplomatike.
“Sipas vendimit të KQZ-së, Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike. Ndërkaq, numri i anëtarëve rezervë është 184”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në ShBA, Kanada dhe Australinë e largët.
“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë kryesisht të vendosura në shtete evropiane. Votimi do të organizohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ambasadën e Kosovës në Uashington, në konsullatën e Nju Jorukut dhe Iowas, në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Kanada dhe në ambasadën e Kosovës në Australi. Pra, sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në gjithsej 46 vendvotime në kuadër të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, tha Elezi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra në këtë rast më 8 shkurt 2025.
Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës prej 104,924, për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike janë regjistruar 20,399 shtetas të Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër janë regjistruar për të votuar përmes postës.
Aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit për rreth 85 mijë shtetas të Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës.
Përfaqësitë diplomatike në të clat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë; Iowa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).