Me projektbuxhetin për vitin 2025, që të hënën është miratuar në parim në Kuvend, Qeveria planifikon t’i ndajë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës. Këtë shumë përfaqësues të Luginës e kualifikuan si të mjaftueshme, teksa kërkuan përkrahje financiare edhe nga Qeveria e Shqipërisë
Katër milionë euro është buxheti që Qeveria planifikon ta ndajë për Luginën e Preshevës në vitin 2025.
Ky planifikim i projektuar shënon rritje prej 1 milion eurosh, krahasuar me vitin aktual.
E nga buxheti i miratuar në parim të hënën në Kuvend, përfitues do të jetë edhe Sanxhaku, për aktivitetet që do të organizohen nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Ragmi Mustafi, ish-nënkryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, e sheh buxhetin e paraparë nga Qeveria si të mjaftueshëm për shqiptarët e Luginës.
“Kjo ngritje dhe mbështetje tregon për mbështetjen që ka Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës. Kjo tregon për fokusin që e ka të koncentruar për përmirësimin e jetës që qytetarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Krahas kësaj duhet të merren hapa programatikë dhe sistematikë me të cilën i lehtësohet jeta shqiptarëve në Luginë”, ka thënë Mustafi.
Ai ka kërkuar mbështetje, me një linjë të veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës, edhe nga Qeveria në Shqipëri.
“Unë shpresoj që edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë të ndjekë hapat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të bëhet një fond solid, i cili mund të adresojë problemet financiare me të cilat po përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shtuar ai.
E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë një vizite të zhvilluar të martën në Tiranë, ka thënë se po zhvillohen bisedime me zyrtarë të Shqipërisë për krijimin e një linje buxhetore për shqiptarët e Luginës.
“Linja e veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës paraqet domosdoshmëri për mirëqenien e qytetarëve të komunave tona, ndërsa koordinimi dhe bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë ofron garanci në avancimin dhe realizimin e të drejtave tona kolektive. Kënaqësi të takoja sot në Tiranë kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, me të cilën bashkëbiseduam për çështjet e lartpërmendura. Përparimi i Shqipërisë në rrugën evropiane është mundësi për përparimin e shqiptarëve gjithandej”, ka thënë Kamberi.
Në buxhetin e vitit 2024, Qeveria pati ndarë 3 milionë euro për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Buxheti i tërësishëm i Kosovës i paraparë për vitin 2025, është 3.6 miliardë euro.
#Projektbu