Ministrja e Jashtme e Kosovës të premten ka njoftuar se i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Ministrisë, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sipas njoftimit, e ka takuar menjëherë mbrëmjen e djeshme pas incidentit ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu edhe sot, “duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin”.
“Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndermarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Në kuadër të veprimeve të ndermarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”, thuhet në njoftim.
Presidentes Vjosa Osmani i është tentuar t’i merret telefoni nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit të enjten, sipas njoftimit të Presidencës. Madje, siç thonë ata, Osmani është tentuar të shtyhet edhe fizikisht.
Kjo nxiti reagime të shumta. Partitë shqiptare që janë në pushtet në Maqedoninë e Veriut shfajësuan veten, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkoi përgjegjësi ligjore e politike nga të përfshirët.