Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, dhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, kanë deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në rrugën e saj për tu anëtarësuar në aleancën më të fuqishme ushtarake ne botë.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës lëkundi themelet e sigurisë evropiane.
Kjo luftë ndikoi edhe tek Suedia, një shtet që njihej me histori të gjatë neutraliteti dhe qëndrimi jashtë aleancave ushtarake.
Me ndryshimin e rrethanave vetëm disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia vendosi t’i bashkohej aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.
Edhe shteti më i ri në Evropë, Kosova aspiron që një ditë të bëhet pjesë e kësaj aleance ushtarake.
Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, tha se Kosova ka çfarë të mësojë nga Suedia për t’u bërë pjesë e NATO-s.
Bouveng e cila është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje, deklaroi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në këtë proces.
“Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim te madh në Evropë. Si pasojë e kësaj lufte edhe Suedia i ndryshoi qëndrimet. E pamë se në këto kohëra sfiduese nuk mund të qëndrojmë të vetëm andaj vendosëm për ndryshime. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte i domosdoshëm, prandaj iu bashkuam aleancës së bashku me Finlandën. Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në strukturat e NATO-s. Suedia e mbështet seriozisht Kosovën për t’u bërë partnere në BE dhe në NATO, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Bouveng për Tëvë1.