Koreja e Veriut ka testuar të enjten një raketë të re balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë, më të avancuarën në arsenalin e saj, njoftoi të premten agjencia shtetërore koreano-veriore KCNA, raporton AFP.
Testimi i raketës balistike ndërkontinentale Hwasong-19 u mbikëqyr nga lideri koreano-verior Kim Jong Un, i cili “shprehu një kënaqësi të madhe” pas lëshimit të suksesshëm të raketës.
Në fotot e shpërndara nga KCNA, lideri koreano-verior, i veshur me një pallto prej lëkure të zezë, shfaqet pranë kësaj rakete balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë.
Një raketë me karburant të ngurtë mund të transportohet më lehtë dhe të lëshohet më shpejt se versionet me karburant të lëngët.
Ky lëshim ka demonstruar se “zhvillimi dhe prodhimi i sistemeve të dorëzimit bërthamor” në Kore të Veriut “janë absolutisht të pakthyeshme.” Ai ka lejuar perfeksionimin e këtij lloji rakete, shpjegon KCNA, duke shtuar se Pheniani nuk do të heqë kurrë dorë nga drejtimi i tij për forcimin e kapaciteteve të tij bërthamore.
Sipas informacioneve të ofruara nga Pheniani, si dhe nga ushtritë e Koresë së Jugut dhe Japonisë, raketa e lëshuar të enjten ka fluturuar më larg dhe më lart se çdo raketë e testuar më parë në Kore të Veriut.
Lëshimi i së enjtes u krye disa orë pasi krerët e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut kërkuan nga Pheniani të tërheqë trupat e tij nga Rusia, ku Uashingtoni dhe Seuli thonë se rreth 10,000 ushtarë janë dislokuar për një veprim të mundshëm kundër forcave ukrainase.
Ky test “duket se është kryer për të tërhequr vëmendjen nga kritikat ndërkombëtare për dislokimin e trupave të tij” në Rusi, ka vlerësuar Yang Moo-jin, presidenti i Universitetit të Studimeve Koreano-Veriore në Seul.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut siguroi se çdo dislokim i ushtarëve të saj në Rusi do të ishte “në përputhje” me të drejtën ndërkombëtare, pa konfirmuar ose mohuar nëse ka dërguar trupa.
Sipas ministrit të mbrojtjes koreano-jugor, Kim Yong-hyun, regjimi i Phenianit i ka furnizuar Rusisë mbi 1,000 raketa dhe sasi të mëdha municionesh.