Juria e Gjykatës së Apelit të Belgjikës ka konfirmuar të martën në mbrëmje fajësinë për vrasësit e aktivistit shqiptar nga Kosova, Enver Hadri.
Pas gati tri javë shqyrtimi gjyqësor, që është zhvilluar pasi dy nga tre të akuzuarit dhe të dënuarit kanë deponuar ankesë në vendimin paraprak gjyqësor. Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, në vitin 2016 janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit.
Atyre iu është shqiptuar dënimi i përjetshëm. Vetëm dy nga tre të dënuarit: Spasiq dhe Drashkoviq kanë deponuar ankesë. Të tre janë dënuar në mungesë sikur në vitin 2016, ndërsa edhe rigjykimi është mbajtur pa prezencën e tyre, meqë të tre janë në Serbi.
Teuta Hadri, vajza e ish-aktivistit kosovar, Enver Hadrit, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit ka konfirmuar fajësinë për vrasësit e babait të saj.
Ajo tha se drejtësia më në fund ka triumfuar dhe se pas 35 vitesh dhimbje dhe përpjekjeje, e vërteta ka dalë në pah.
“Enver Hadri ishte viktimë e një krimi të tmerrshëm të orkestruar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, me ndihmën dhe lidhjet me krimin i organizuar i Beogradit. Sonte, Enver Hadri, babai ynë, bashkëshorti, vëllai, gjyshi, daja, kushëriri, miku dhe bashkëkombësi ynë, ka rikthyer nderin e tij”.
“Ky vendim gjyqësor nuk mund të fshijë humbjen e babait tim apo vitet e vuajtjeve të shkaktuara ndaj familjes sime, por ai përfaqëson shumë më tepër se një aktgjykim. Ky është një dënim i qartë dhe i prerë për një krim shtetëror të motivuar politikisht, që shkeli në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80-’90”, shkroi ajo. /Reporteri.net/