Komuna e Prishtinës ka hapur një tender për ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale, para disa ditësh. Aktualisht, procedura e tenderimit është në fazën ku kompanitë e interesuara mund të paraqesin kërkesa për sqarime. Por, komuna tashmë duket se po vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, raporton Demokracia.com.
Nuk është hera e parë që Komuna e Prishtinës tenton të shkelë ligjin. Tenderi për ndërtimin e godinës së Qendrës për Punë Sociale është hapur, por komuna nuk ka lëshuar leje ndërtimi për të. Kjo përbën vepër penale, pasi asnjë objekt nuk mund të nisë ndërtimin pa leje ndërtimi.
Demokracia.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me këtë çështje: “A janë lëshuar kushtet dhe leja e ndërtimit për këtë projekt? Nëse po, kur janë lëshuar? Nëse jo, a përbën shkelje të ligjit fillimi i ndërtimit pa leje? Kush e ka bërë projektin për ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale? Ku do të ndërtohet ky objekt?”.
Komuna e Përparim Ramës nuk ka dhënë përgjigje në këto pyetje deri në publikimin e këtij artikulli.
Komuna ka një ueb-faqe ku publikohen të gjitha lejet e ndërtimit, por aty nuk figuron të jetë lëshuar ndonjë leje për këtë objekt. Të paktën jo në tre vitet e fundit, sipas asaj që ka shqyrtuar Demokracia.com.
Leja e fundit e ndërtimit që Komuna e Prishtinës ka lëshuar për objektet publike është ajo për “Ndërtimin e ndërtesës‘ me etazhitet P+1″. Kjo leje është lëshuar para disa ditësh dhe ndërtesat pa leje nuk paguajnë tarifa për to. Në faqe figurojnë edhe disa leje për shkolla e për renovim të stacioneve.
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se një tender me vlerë prej 2,916,477.81 euro, i hapur nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale, ngre dyshime mbi kriteret e vendosura për operatorët ekonomikë. Afati i realizimit të projektit është 240 ditë, ndërsa kompanitë e interesuara janë duke shqyrtuar kërkesat teknike të përcaktuara në njoftimin për kontratë.
Demokracia ka zbuluar se prokurimi komunal përveç që ka vendosur kritere shumë të vështira për t’u plotësuar, ka shkurtuar afatin për pjesëmarrjen e kompanive të interesuara në procesin e tenderimit. Ky shkurtim i afatit është shkelje ligjore dhe ngre dyshime se ndonjë kompani mund të jetë informuar më herët nga Komuna e Prishtinës për të përgatitur dokumentacionin.
Ligji për Prokurimin Publik në rastin e kontratave të mëdha të hapura kërkon që hapja e ofertave të bëhet në ditën kur përfundon afati për dorëzimin e tenderëve dhe ky afat duhet të jetë jo më pak se 40 ditë. Megjithatë, Komuna e Prishtinës ka caktuar një afat prej vetëm 24 ditësh. Tenderi është hapur me 20 shtator dhe afati për dorëzimin e ofertave është deri më 14 tetor, ora 14:00, 24 ditë në total.
Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.
Duhet përmendur se për këtë tender nuk ka të ngarkuar në E-prokurim ‘njoftim paraprak’, që do ta lejonte komunën të bënte shkurtimin e afateve.
Trajnime dhe pozita teknike që nuk lidhen drejtpërdrejtë me projektin
Kjo procedurë e publikuar në E-prokurim ngre dyshime mbi kriteret e vendosura për operatorët ekonomikë.
Kërkesat për personel të trajnuar në fusha shumë specifike, si inxhinierë hidroteknikë dhe ekspertë të energjisë eficiente, duket të jenë të ekzagjeruara. Pasi këto kërkesa nuk janë domosdoshmërisht të përshtatshme për një objekt si ky, i cili nuk përfshin sisteme komplekse energjetike apo hidroteknike që do të kërkonin këtë nivel ekspertize. Si rezultat, operatorët që nuk kanë staf me këto trajnime specifike mund të përjashtohen, duke krijuar një terren të favorshëm për ata që janë më të afërt me këto kritere të ngushta.
Marrëveshje për menaxhimin e mbeturinave – Kjo kërkesë është e rëndësishme për çdo ndërtim, por nuk ka nevojë të jetë një dokument i theksuar për tenderin, përveçse ka kërkesa të veçanta për trajtimin e mbeturinave në këtë projekt, gjë që zakonisht mund të menaxhohet nga vetë autoriteti kontraktues.
Një tjetër pikë problematike është kërkesa për të pasur minimum 25 punonjës, ku 20 prej tyre të jenë të certifikuar për siguri dhe shëndet në punë. Për një ndërtim me përmasa të moderuara si ky, një numër kaq i lartë i punonjësve të certifikuar mund të jetë një kërkesë e rëndë dhe e panevojshme. Kjo mund të pengojë konkurrencën e ndershme, duke kufizuar kompanitë që nuk kanë kaq shumë punonjës të certifikuar, por që kanë kapacitetin për të realizuar projektin.
Teknikë të specializuar për energji, klimatizim dhe ndriçim publik: Kjo kërkesë është për projekte që përfshijnë sisteme të ndërlikuara të energjisë dhe klimatizimit. Për një ndërtim të tillë si Qendra për Punë Sociale, kërkesa për teknikë të specializuar ështe diskriminuese ose favorizuese, pasi sistemet bazë mund të instalohen dhe menaxhohen nga teknikë ndërtimi të zakonshëm.
Certifikatat ISO
Një nga shqetësimet kryesore është kërkesat e certifikatave ISO 14001 dhe ISO 45001, të cilat lidhen me menaxhimin mjedisor dhe sigurinë e avancuar në punë. Këto certifikata janë më të përshtatshme për projekte me ndikim të madh mjedisor dhe me rrezik të lartë, siç janë ndërtimet industriale ose infrastruktura kritike. Në rastin e një ndërtese si Qendra për Punë Sociale, që nuk përfshin sisteme komplekse, këto certifikata duken të tepërta dhe mund të kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve të ndershëm, të cilët mund të mos i kenë këto standarde të avancuara, por që janë të aftë të kryejnë punën me cilësi të lartë.
ISO 9001 (Menaxhimi i cilësisë): Kjo certifikatë është standard për cilësi dhe është e rëndësishme për të siguruar që kompania ka sisteme menaxhimi cilësor. Kjo kërkesë është e arsyeshme, pasi garanton që projekti të realizohet me standarde të larta cilësie.
ISO 14001 (Menaxhimi mjedisor): Kjo certifikatë lidhet me ndikimin mjedisor të kompanisë dhe kontrollin e tij. Për një ndërtim të thjeshtë si Qendra për Punë Sociale, kjo kërkesë duket e tepruar, pasi projekti nuk përfshin aktivitete që kanë ndikim të madh në mjedis si fabrika apo ndërtime industriale. Në këtë rast, kërkesa për të respektuar ligjet mjedisore do të mjaftonte.
ISO 45001 (Shëndeti dhe siguria në punë): Kjo certifikatë lidhet me sistemet për siguri dhe shëndet në punë. Edhe pse kjo certifikatë është e rëndësishme në ndërtimet me rrezik të lartë, për një ndërtim të tillë si një qendër për punë sociale, ku rreziqet janë të ulëta, kjo certifikatë mund të konsiderohet e panevojshme, veçanërisht kur kërkesat e sigurisë në vendin e punës mund të zbatohen në bazë të rregulloreve në fuqi.
Certifikatat dhe trajnimi i personelit teknik
Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë – me certifikatë për siguri dhe shëndet në punë dhe mbrojtje nga zjarri: Për projekte ndërtimi si ky, inxhinierët e ndërtimtarisë janë të domosdoshëm, por kërkesa për trajnime shtesë për mbrojtje nga zjarri dhe siguri në punë për këtë nivel ndërtimi është e tepërt, pasi këto aspekte janë pjesë e rregullave të zbatueshme në ndërtim dhe mund të përmbushen me ekipin bazë të ndërtimit.
Inxhinier hidroteknik (min. 7 vjet përvojë): Hidroteknika lidhet me menaxhimin e ujit dhe sistemeve të drenazhimit. Për një ndërtim si Qendra për Punë Sociale, kjo kërkesë duket e tepërt, përveç që objekti ka nevoja specifike hidroteknike (p.sh., sisteme të avancuara për menaxhimin e ujërave). Për një projekt të tillë, një inxhinier civil bazik do të mjaftonte për të menaxhuar aspektet teknike të ujit.
Inxhinier i diplomuar i arkitekturës – i licencuar për auditim të energjisë eficiente: Kjo kërkesë mund të jetë e tepruar, veçanërisht për ndërtime të thjeshta që nuk përfshijnë sisteme të avancuara të eficiencës energjetike. Për ndërtimin e një qendre sociale, një auditim bazë për eficiencë energjetike nga institucione publike mund të mjaftojë. Kërkesa për një specialist të licencuar është e panevojshme për këtë lloj objekti.
Inxhinier i makinerisë (certifikuar për ndihmë të parë dhe siguri në punë): Edhe pse është e rëndësishme të sigurohet që puna të kryhet në kushte të sigurta, kërkesa për një inxhinier makinerie të trajnuar për ndihmë të parë është e tepruar për një projekt të tillë. Siguria në punë mund të menaxhohet përmes masave të përbashkëta të sigurisë në ndërtim, pa qenë nevoja për një ekspert të tillë.
Dyshime për favorizim të operatorëve të caktuar
Përfshirja e kërkesave të panevojshme dhe të tepruara për certifikata dhe trajnime teknike të veçanta ngre dyshime për favorizim të operatorëve të caktuar që i përmbushin këto kritere. Kjo krijon një terren të pabarabartë konkurrimi dhe bie ndesh me parimin e barazisë në prokurimin publik. Një numër i madh operatorësh mund të përjashtohen padrejtësisht nga tenderi për shkak të kërkesave që nuk lidhen drejtpërdrejtë me nevojat e projektit, duke krijuar hapësirë për përfitime të mundshme për kompani që janë të përgatitura për t’i përmbushur këto kritere të tepruara.
Komuna e Prishtinës duhet të rishikojë këto kërkesa dhe të sigurohet që specifikimet teknike të jenë në përputhje me natyrën e projektit, duke lejuar pjesëmarrjen e sa më shumë operatorëve të kualifikuar. /Demokracia.com/
Paramasa se çka do të ndërtohet: Kliko këtu
Kriteret e kërkuara: