“Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë” ka nisur të ndërtohet, por ende s’i ka letrat e kompletuara. Në ditën kur është kujtuar për leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore, ka dalë edhe vendimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, ku shkruhet se “urdhërohet ndalimi i çdo veprimi të paautorizuar në hapësirën e aseteve kulturore nën mbrojtje ligjore, Qendra historike e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë në Prishtinë”
Fiks shtatë ditë pasi i janë ndalur punimet nëpërmjet një procesverbali nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës ka nisur të respektojë Ligjin për trashëgimi kulturore. Institucioni lokal ka paketuar dosjen dhe bashkë me një kërkesë për shqyrtim i ka nisur në adresë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por, ia ka huqur adresës. E krejt këto ngjajnë për projektin 6.5 milionë eurosh
Komuna e Prishtinës është kujtuar se duhet të pajiset me leje për të realizuar projektin “Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”. I ka rënë ndërmend se projekti duhet të ketë miratim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Këta hapa i ka marrë tek pasi i janë ndalur punimet. Por prapë ia ka huqur në hapa. Pasditen e së enjtes, nja gjysmë ore para se të përfundonte orari zyrtar i punës, i është drejtuar me kërkesë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por proceduralisht duhet që kërkesën dhe dosjen t’i dorëzojë te Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, institucion ky që bën vlerësimin administrativ të lëndës. Gjendet ngjitur me ndërtesën e Komunës. Për pasojë, Komunës tash do t’i duhet të ndërrojë adresën e kërkesës.
Fiks shtatë ditë pasi i janë ndalur punimet nëpërmjet një procesverbali nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna ka nisur të respektojë Ligjin për trashëgimi kulturore. Institucioni lokal ka paketuar dosjen dhe bashkë me një kërkesë për shqyrtim i ka nisur në adresë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Pasdite kemi pranuar kërkesën. Por, të premten do ta njoftojmë Komunën se Komisioni i institucionit tonë bën vlerësimin, por në këtë rast kërkesa duhet drejtuar Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore pasi ajo është institucioni i parë që pranon kërkesat e tilla”, kanë bërë të ditur në IKMM të enjten në mbrëmje.
Komuna e Prishtinës të mërkurën nëpërmjet një alamet ceremonie ka inauguruar punimet për një lloj mbikalimi nëpërmjet të cilit synohet të lidhet “Arbëria” me pjesën qendrore të qytetit, konkretisht me Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Por, mund të zhvillojë punime vetëm në “Arbëri” e jo edhe në pjesën matanë hekurudhës dhe rrugës automobilistike, ku edhe nis parcela e asaj që tash është parking prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Synimet ishin të tjera, por institucionet e trashëgimisë kulturore kanë vepruar.
Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Pallati i Rinisë dhe Sportit po ashtu është monument. Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në ditën e fundit të muajit të kaluar kishte dalë në terren. E në ditën e parë të këtij muaji kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave.
Të enjten Inspektorati ka lëshuar edhe vendim.
“Urdhërohet ndalimi i çdo veprimi të paautorizuar në hapësirën e aseteve kulturore nën mbrojtje ligjore, Qendra historike e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë në Prishtinë”, shkruhet në pikën e parë të vendimit.
“Obligohet Drejtoria për Investime Kapitale, Komuna e Prishtinës, që para secilës ndërhyrje në hapësirën e aseteve, si në pikën I të këtij dispozitivi, të sigurojë aprovimin nga ana e institucioneve të trashëgimisë kulturore, përkatësisht përmes Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit.
Ligji për trashëgiminë kulturore, i miratuar që nga viti 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga Institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Në inaugurimin e punimeve nuk është treguar se s’mund të vazhdohet tutje në drejtim të Pallatit të Rinisë.
“Sot inauguruam fillimin e punës në një ndër projektet më të mëdha të Prishtinës, ishullin urban Arbëri – Pallati i Rinisë. Bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe drejtorin për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, përuruam punimet e njërit prej projekteve më të mëdha transformuese të kryeqytetit”, kishte njoftuar kryetari Rama.
Ka treguar se bëhet fjalë për projekt me kosto 6.5 milionë euro.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tërthorazi, në ceremoninë e edhe në njoftimin që ka lëshuar më pas, e kishte përmendur ndërprerjen e punimeve në anën tjetër të rrugës. Por, ka dhënë deklaratë politike.
“Projekti, zotim i Përparimit dhe i yni elektoral, është ideuar, projektuar e financuar tërësisht nga Komuna e Prishtinës; dhe pavarësisht pengesave të pakuptueshme të qeverisjes qendrore, ai po merr jetë. U zotova, që nga 9 shkurti, nën qeverisjen time, të gjitha pengesat e nivelit qendror mbi kryeqytet do të marrin fund”, kishte njoftuar Abdixhiku.
KOHA prej të mërkurës mbrëma ka tentuar të vërë kontakt me drejtorin e Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, por ai nuk është përgjigjur se përse ky projekt ka nisur pa kërkuar pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.