Pavarësisht se është planifikuar dhe buxhetuar për disa vite, ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit ende nuk ka nisur. Ky projekt i rëndësishëm, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore për qytetarët e Prishtinës, vazhdon të përballet me vonesa të shumta. Megjithëse Komuna e Prishtinës kishte parashikuar shpalljen e tenderit në fillim të vitit 2024, deri tani nuk ka pasur përparime konkrete, shkruan Demokracia.com.
Me fillimin e vitit 2024, Komuna e Prishtinës kishte nisur disa nga investimet madhore të parashikuara në planin buxhetor të këtij viti. Nga data 1 mars ishte parashikuar shpallja e tenderit edhe për Spitalin e Prishtinës. Fillimisht, zyra komunale e prokurimit bëri hapin e parë duke shpallur një ‘njoftim paraprak’ në E-prokurim, ku thuhej se “Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës” do të tenderohej që nga data 1 mars 2024.
Demokracia.com ka verifikuar në E-prokurim, por ende nuk është bërë asnjë njoftim për këtë procedurë të prokurimit.
Për ndërtimin e spitalit janë ndarë mjete në vlerë prej 12,800,000.00 euro. Kjo është bërë e ditur në “njoftimin paraprak” që Komuna e Prishtinës ka bërë në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, raporton Demokracia.com.
“Njoftimi Paraprak” bëhet për procedurat tenderuese të vlerave të mëdha dhe pas përgatitjes së planifikimit final të prokurimit, zyrtari përgjegjës i prokurimit do të verifikojë nëse autoriteti kontraktues synon të bëjë dhënien e kontratave gjatë periudhës së ardhshme 12-mujore.
Me Ligjin për Kryeqytetin të miratuar në vitin 2017, Prishtina e ka të paraparë që përveç shërbimeve të kujdesit primar shëndetësor, të ofrojë edhe shërbime të kujdesit sekondar shëndetësor, që nënkupton ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.
Rreth 4 hektarë tokë janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e këtij spitali. Toka komunale prapa Pallatit të Drejtësisë është vendi ku pritet të fillojnë punimet sivjet.
Në gusht të 2022, Rama kishte paralajmëruar se ndërtimi i spitalit do të fillonte gjatë vitit 2023. Kjo nuk ndodhi. Vitin e kaluar u bë vetëm prezantimi i dizajnit konceptual për spitalin.
Kompania “ICME” tashmë e ka përfunduar pjesën e dytë të fizibilitetit.
Në vitin 2019, Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me Ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, kishin nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.
Kryeqyteti është i vetmi nga 7 rajonet e Kosovës që nuk ka spital të tij. Në mungesë të spitalit, përveç qendrave të mjekësisë familjare si nivel parësor i shëndetësisë, qytetarët i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili është nivel tretësor.
Ligji për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, thotë se Prishtina ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit si dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.
Spitali i Prishtinës ishte premtuar edhe nga Arben Vitia, kur ishte kandidat për kryetar të kryeqytetit në 2021, mirëpo si Ministër i Shëndetësisë më 10.05.2023 kishte thënë se për të ndërtuar një spital të Prishtinës duhet bërë një studim fizibiliteti dhe analizë të thuktë se a ka nevojë për një spital të tillë.