Koalicioni VLEN pohon se komunat kanë mundësi ligjore që ta financojnë Akademinë shqiptare të shkencave dhe arteve, përkundër asaj që deklaroi dje ministri Zllatko Perinski, se Ligji për vetëqeverisje lokale nuk lejon që paratë të shpenzohen për iniciativa që nuk janë nën kompetencat themelore të komunës.
Nga VLEN thonë se Tetova, Çairi, Zhelina dhe Gostivari do të ndajnë mjete për Akademinë.
“Ligji për veprimtari hulumtuese – shkencore ka paraparë që komunat të kenë të drejtën e financimit të veprimtarive hulumtuese – shkencore, në nenin 49, paragrafi (1): Mjetet për financimin e veprimtarisë hulumtuese – shkencore sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pajtim me qëllimet dhe prioritetet e përcaktuara me Programin nacional si dhe në programet zhvillimore me interes publik për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga burime tjera: programet dhe fondet ndërkombëtare, njesite e vetadministrimit lokal”, deklaroi Faruk Nevzati, sekretar i komunës së Çairit.
Kryetari i Likovës nga radhët e BDI-së, Erkan Arifi theksoi se ata aspak nuk janë të njoftuar me idetë e kolegëve nga VLEN. Kujtojmë se iniciative e VLEN-it në fillim u prezantua si Akademi, teksa më pas në press konferencë u tha se e njejta momentalisht duhet të funksionojë si Organizatë Joqeveritare.