Komisioni për Politikë Sociale Demografi dhe Rini do të vazhdojë të mbetet pa kryetar edhe pse Komisioni për Zgjedhje dhe Emrime zyrtarisht ka kërkuar nga Fronti Europian emrin që do ta zëvendësonte Ilire Dautin në këtë komision.
Kërkesa është zyrtare por ajo që mund të jetë kontestuese është se shkresa deri t e Komisionit për Zgjedhje dhe Emrime deri tek Fronti Europian është dërguar vetëm në gjuhën maqedonase duke lënë në hije dhe duke mos respektuar ligjin e gjuhëve.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi i pyetur nga Klan Maqedoni thotë se pozita e kryetarit nuk mund t’i merret Frontit Europian edhe nëse ata vendosin të mos propozojnë emër, megjithatë siguron se Komisioni do të vazhdojë me punë dhe nuk do të mund të bllokohet.
AFRIM GASHI- KRYETAR I KUVENDIT
“Kur është bërë ndarja në fillim është caktuar që atë komision ta udhëheq Fronti Europian. Ata mund të propozojnë në cdo moment kryetar deri tek Komisioni për Zgjedhje dhe Emrime nëse nuk propozojnë cështja mbetet e hapur, por për tu mos u bllokuar puna unë në cilësi të kryetarit të Kuvendit vetëm propozoj kryesues të pikave të caktuara të ligjeve të cilat duhet të kalojnë në atë komision.”
Se Gashi mund të thëras seancë dhe më pastaj të caktojë se kush do ta udhëheqë e thotë edhe ish kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Në një deklaratë për Klan Maqedoni, Xhaferi thotë se pavarësisht nëse Fronti Europian propozon ose jo emër, Gashi është i obliguar ta respektojë rregulloren.
TALAT XHAFERI – DEPUTET
“Ai komision me ndarjet që janë bërë dhe marrëveshjet i takon opozitës, gjegjësisht Frontit Europian dhe në cilëndo qoftë zgjidhje të ardhëshme kryetari i komisionit do të jetë nga Fronti Europian. E citoj : Neni 126:
Paragrafi 1 “Trupi punues punon në mbledhje”.
Paragrafi 2 “Mbedhjen e trupit punues e thërret kryetari i trupit punues, kryetari thërret mbledhje edhe nëse këtë e kërkon kryetari i Kuvendit ose së paku 1/3 e anëtarëve të trupit punues të cilët duhet të paraqesin material.
Paragrafi 3 që është konfrom kësaj situate që jemi sot thotë: Nëse kryetari i trupit punues nuk thëret mbledhje kur është i obliguar ta bëj këtë ose nëse trupi punues nuk ka kryetar mbledhjen e thërret kryetari i Kuvendit dhe mbledhjen e kryeson anëtari i trupit punues të cilin do ta përcaktoj kryetari i Kuvendit deri në përfundim të kësaj mbledhje.”
Për këtë temë foli edhe deputeti i VMRO-së, Toni Jarevski. Thotë se është e obligueshme të veprohet sipas rregullores dhe ligjeve në fuqi. Thotë se do ta respektojnë dhe do ta presin propozimin e Frontit Europian.
TONI JAREVSKI – VMRO-DPMNE
“Ai vend i takon Frontit Europian të udhëhequr nga BDI-ja është detyrë e tyre të propozojnë emër, deri atëherë ne do të presim, do ta respektojmë atë që e thonë aktet dhe atë për të cilën jemi marrë vesh. Shpresoj që do të jenë të arsyeshëm dhe se nuk do të punojnë kundër interesave të shtetit dhe Kuvendit dhe do të japin propozimin e tyre meqëllim që vendi i lënë nga Ilire Dauti të zëvendësohet.”
Kujtojmë, Ilire Dauti dha dorëheqje nga pozita e kryetares së Komisionit pasi paraprakisht me shumicë votash ishte votuar interpelanca për shkarkimin e sajë nga kjo pozitë. Për shkarkimin e Dautit aso kohe kishin votuar, Levica e cila edhe e inicoi interpelancën, VMRO-ja po edhe ZNAM. E gjithë kjo ndodhi për shkak se Ilire Dauti nuk pranonte që në rend dite në komision ta vendosë propozim ligjin e “Branitellave” dhe dëmshpërblimin e familjarëve të tyre dhe kërkonte që në ligjin e lartë-përmendur të futen edhe ish pjestarët e UÇK-së.