Venecia- Komisioni i Venecias ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit të Venecias, kërkesa u paraqit nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në 13 Shtator 2024. Gjithashtu në njoftim thuhet se shqyrtimi i kësaj çështjeje do të kryhet brenda datës 6-7 Dhjetor të këtij viti, gjatë mbledhjes së Komisionit.
“Me shkresën e datës 13 shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të rolit të Kuvendi në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Drafti i opinionit do të dorëzohet për miratim në seancën e 141-të plenare të Komisionit (6 7 dhjetor 2024)”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Venecias.
Më poshtë teksti i letrës drejtuar Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, nga Presidentja e Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie.
“E dashur Kryetare,
Ju faleminderit për letrën tuaj të datës 13 shtator 2024, me anë të së cilës kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias për raportin ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kuadrin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nëpërmjet kësaj letre konfirmoj gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përgatitur këtë opinion për miratim në seancën plenare të 141-të (6-7 dhjetor 2024). Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time për besimin ndaj Komisionit të Venecias. Juaja sinqerisht, Claire Bazy Malaurie”, shkruhet në letër.
Pas pengesës që krijuan votat e socialistëve në Kuvend për dërgimin në Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, delegacioni i BE-së në vend e konsideroi vendimin si “një hap jo në drejtimin e duhur”. Ambasada amerikane po ashtu atë ditë ndau të njejtin shqetësim. Ndryshe nga dy herët e tjera, socialistët zgjodhën në masë abstenimin, për të arritur të njejtin si rezultat mosdërgimin në gjykatën kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes dhe ish-ministres Olta Xhaçka.