Një ekip fizikantësh nga Universiteti i Münster, Gjermani, krijoi kodin QR më të vogël në botë, duke arritur kështu të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness, raporton agjencia DPA të enjten.
Kodi QR mat 5.38 mikrometra katrorë, rreth 20 herë më i vogël se rekordi i mëparshëm botëror i mbajtur nga një grup kërkimor në Singapor dhe rreth shtatë herë më i vogël se një qelizë e kuqe e gjakut të njeriut, sipas universitetit.
Ky kod QR nuk mund të shihet me sy të lirë, por një zëdhënës i universitetit tha se mund të zmadhohet disa herë në një ekran kompjuteri duke përdorur një mikroskop.
Kodi, skanimi i të cilit çon në faqen e internetit të fizikës kuantike të universitetit, u njoh si një rekord botëror nga Rekordet Botërore Guinness pas matjeve të pavarura nga një kompani teknologjike.
Universiteti ka treguar se synon ta përdorë këtë rekord për të promovuar studimin e fizikës.