Diplomati Sylë Ukshini ka publikuar letrën e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar delegacionit të Kosovës në Rambuje. Kreu i delegacionit kosovar, Hashim Thaçi, ishte bindur për të nënshkruar marrëveshjen, por në terren i kishte dalë një problem. Një pjesë e UÇK-së kishte dalur kundër publikisht e po ashtu edhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) kishte lëshuar një komunikatë, ku kategorikisht refuzonte nënshkrimin e marrëveshjes dhe i bënte thirrje Thaçit të mos e nënshkruajë marrëveshjen.
Pavarësisht këtyre presioneve, Hashim Thaçi vendosi të nënshkruajë. Mbështetje publike ndaj tij kishte shprehur edhe shkrimtari Ismail Kadare.
Letra e Kadaresë drejtuar delegacionit të Kosovës në Rambuje: Nënshkruani Marrëveshjen, mos bini në grackën serbe
Shkrimtari Ismail Kadare, nuk ishte vetëm shkrimtar, por një njeri shumë i angazhuar për kombin, veçanërisht për Kosovën në momentet në dramatike dhe më vendimtare për të ardhmen e saj. Rasti më pikant është angazhimi i tij në Konferencën e Rambujesë në Francë (shkurt-mars 1999). I shqetësuar për rrjedhën e Konferencën dhe për frikën e dështimit të saj, shkrimtari Ismail Kadare drejtoi një letër të ngutshme mbështetëse, bile edhe me tone lutje e qortimi për delegacionin e Kosovës në Rambuje, në të cilën ai kërkoi që Marrëveshja e Rambujesë të pranohej nga delegacioni i Kosovës, duke përfunduar se “ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj” dhe çdo refuzim i marrëveshjes së Rambujesë do të ishte një “dhuratë e madhe për Beogradin”.
Në këtë letër, Kadare i tërhiqte vëmendjen delegacionit shqiptar të Kosovës që të mos binin në grackën serbe, e cila ndiqte strategjinë që t’i bënte shqiptarët bashkëfajtor, madje edhe fajtorë, me qëllim që t’i shpëtonte ndëshkimit ushtarak të Perëndimit. Ai më tej nënvizonte se me Konferencën e Rambujesë interesimi për Kosovën ishte rritur në pikën maksimale, duke tërhequr vëmendjen se ky interesim dhe ky seriozitet i qendrave ndërkombëtare të vendosjes nuk mund të përsëritej. Prandaj, ai bënte thirrje që delegacioni i Kosovës t’i thoshte “po” marrëveshjes, sepse pala serbe po priste me padurim një “jo” të shqiptarëve, që në fakt do të ishte një dhuratë e madhe për Beogradin. I preokupuar dhe mirëkuptues për hezitimin e drejtuesve të delegacionit të Kosovës, Kadare theksonte se për momentin Rambuje ishte e vetmja e mundshme, por njëkohësisht qartësonte se një konferencë tjetër pas tre vjetësh e lë hapur portën e lirisë. Kadareja e hartoi letrën pas një nate pa gjumë, midis orës dy dhe katër të mëngjesit të datë 22 shkurt 1999, duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë historike të atij çasti dhe për momentin delikat të të cilën ndodhej populli shqiptar i Kosovës. Ishte një situatë dramatike, Kadare po mendonte se nuk kishte kohë të mjaftueshme për një takim me presidentin Chirac apo me ambasadorin Hill. Ideja e letrës i dukej si e vetmja zgjidhje. Ishte një letër që kishte për qëllim që t’i detyrojë disa të harrojnë rapsodin e katundin…”Në nëntë të mëngjesit Elena nis të shtypë letrën në ordinator. Në nëntë e gjysmë marrë në telefon ambasadorin e Shqipërisë, Luan Ramën. Ai niste menjëherë në shtëpinë time për të marrë letrën. Ndërsa ambasadori është në rrugë, për çudi, më merr në telefon Rexhe Qosja. Ia them ç’mendoj me një ton që duhet të jetë nervoz. I them gjithashtu se pas dhjetë minutash po i nis mjë letër delegacionit. Shkruaj një letër shoqëruese për Rexhepin me pa a shumë po ato mendime. Ambasadori më premton se për një orë letra do të jetë më duart e delegacionit”, shkrunte Kadare në ditarin e tij. Me e këtë letër, shkrimtari Ismail Kadare, duke u nisur nga rëndësia dhe momenti historik si dhe nga frika se Kosova mund të merrte tatëpjetën, vendosi të merrte përgjegjësinë mbi vete.
Në këtë letër Kadare po ashtu siguronte delegacionin e Kosovës se “si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time.”
Duke ju drejtuar me këtë letër, Kadare vinte në dukej gatishmërinë që këto qëndrime t’i mbronte publikisht dhe bashkë me të të mbronte edhe vendimin e delegacionit të Kosovës për pranimin e Marrëveshjes së Rambujesë në këtë moment delikat për popullin shqiptar të Kosovës. Dhe krejt në fund në formë alarmi, Kadare i lutej anëtarëve të delegacionit të Kosovës të “mos dëgjonin rrahagjoksët e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb. Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovë dhe jo për vdekjen e saj”.
Sipas ambasadorin austriak Wolfgangan Petrisch, letra e Kadaresë arriti qëllimin e dëshiruar. Qosja, i cili e lexoi tekstin e saj në mënyrë patetitke përpara delegacionit kosovar, hoqi dorë nga qëndrimi i tij mospranues. Por, trysnia më e madhe vinte nga komandantët vendës të UÇK-së, të cilët nuk pranonin shpërbërjen e saj pa garanci për pavarësinë e Kosovës. Për Thaçin nuk ishte në lojë vetëm fati politik i “vendit të tij”, por edhe mbijetesa e tij fizike. Po të vendoste të nënshkruante marrëveshjen në variantin e paraqitur, mund të shndërrohej shumë lehtë në “tradhtar”. Ai e dinte se në fjalorin ushtarak një gjë e tillë do të thoshte vdekje. Nga ana tjetër, Thaçi rrezikonte të humbiste krejt simpatinë e Perëndimit. Ndërsa SHBA-ja bëri të qartë që, në rast se bisedimet dështonin për fajin e kosovarëve, ky do të ishte fundi i UÇK-së.
Në anën tjetër, thotë Petritsch, në Beograd e dinimi mirë se e vetmja mundësi për t’i shpëtuar sulmit të NATO-s pa nënshkruar dokumentin, ishte përçarja e delegacionit të Kosovës.
Në këto rrethana, letra e Ismail Kadaresë, e cila ishte ide e ambasadorit Wolfgang Petrisch, plotë ndjenjë i drejtohej në veçanti kolegut shkrimtar Rexhe Qosja, i cili bashkë me Thaçin, ishte kundërshtar më i ashpër i projektit të kompromisit, thuhet në mes të tjerash në librin “Kosova- Mythen, Daten, Fakten”, të Wolfgang Petrisch, Karl Kaser dhe Robert Pichler
Në këtë çast kritik dhe vendimtar, letra e Kadaresë pati ndikim vendimtar që delegacioni kosovar të mos përçahej dhe që brenda delegacionit të arrihej një konsensus historik. Si rrjedhojë, me me 23 shkurt 199 delegacioni i Kosovës njoftoi drejtues i Konferencës së Rambuejsë se ka votuar në favor të marrëveshjes.
(SU)
_______
Teksti i letrës së Ismail Kadare dërguar delegacionit shqiptar në Rambuje
Paris, 22 shkurt 1999
Në pamundësi t’ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po ndodh e çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se:
a) nëse të dy palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi,
b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet.
Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e Sekretares së Shtetit të SHBA duhet marrë me seriozitetin më të madh.
Në të dy rastet, pra edhe sikur të dyja palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t’u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë.
Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vitesh?
Mendoj se tani për tani mund të mbetemi me kaq. Mendoj se vështirë se mund të arrihej më shumë nga një fazë kalimtare.
Ky është një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Historia shumë herë e ka treguar se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanset nuk përsëriten kaq lehtë. Kam bindjen se këtij shansi kurrsesi nuk i duhet rënë me shkelm.
Bindja ime bazohet në faktin se interesimi botëror për Kosovën ka arritur në pikën maksimale. Kurrë më në të ardhmen nuk mund që ky interesim, ky preokupim, ky seriozitet të përsëdytet. Qysh tani ky interesim ka filluar të quhet i tepruar dhe ka zgjuar xhelozinë e disa vendeve dhe popujve. Rrjedhimisht, pas harxhimit të kësaj vëmendjeje, masakra edhe më të mëdha në Kosovë do të zgjojnë vëmendje shumë më të vogël.
Bota do ta quajë ndërgjegjen e lartë dhe kjo do të jetë fatale për Kosovën. Jam i sigurt se serbët presin me padurim “jo”-në shqiptare. Dhuratë më të madhe nuk mund të ketë për ta.
Në këto kushte mendoj që të merret ajo që mund të merret dhe të mos kërkohet tani për tani e pamundura. Një konferencë tjetër për Kosovën pas tre vitesh e lë portën e lirisë të hapur. Unë e kuptoj ndjenjën tuaj të përgjegjësisë, e kuptoj drojën se mos bëni ndonjë lëshim që s’duhet bërë. Në këtë rast, më lejoni t’jua kujtoj se unë si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja një faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time. Duke iu drejtuar këtë letër, jam i gatshëm t’i mbroj mendimet e mia publikisht, përpara kujtdo e bashkë me të, të mbroja gjer në fund vendimin tuaj.
Ju përfaqësoni sot popullin shqiptar të Kosovës në momentin më delikat. Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se, të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, bashkë me shpresën se do të më kuptoni drejt.
Ismail Kadare