Ishulli i Tajvanit po përballet për të dytën ditë radhazi me kërcënime të drejtpërdrejta nga Kina fqinje. Si pjesë e një stërvitje të ashtuquajtur ‘ndëshkuese’ kundrejt Tajvanit, Kina kreu manovra me sulme raketore. Pekini ngriti në qiell avionët luftarakë që lëshuan raketa dhe gjithashtu bombardues.
Mediat kineze theksojnë se ushtria ngriti disa formacione sulmi në ujërat në lindje të Tajvanit, duke inskenuar sulme në koordinim me anijet detare. Sipas zyrtarëve kinezë, stërvitja ka për qëllim të testojë aftësinë e vendit për të “marrë pushtetin” dhe kontrollin e zonave kryesore të Tajvanit.
“Stërvitja jonë që mbyllet në hapësirën ngjitur detare dhe ajrore në lindje të ishullit Tajvan është për t’u thënë separatistëve të ‘pavarësisë së Tajvanit’ se asnjë vend këtu nuk është i sigurt për ju. Ne kemi aftësinë të fillojmë sulme të gjithanshme në të gjitha drejtimet”, tha Zhang Chi, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare kineze.
Një zyrtar i lartë i sigurisë së Tajvanit tha për Reuters, se disa bombardues kinezë inskenuan ndaj anijeve të huaja pranë skajit lindor, që ndan Tajvanin nga Filipinet, duke praktikuar se si të kapnin “kontrollin e plotë” të zonave në perëndim të ishullit. Sakaq, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit, publikoi video në të cilat shfaqen raketat e Tajvanit si kundërpërgjigje të kërcënimit kinez.
Kina e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj dhe denoncon presidentin e sapozgjedhur të kombit ishullor si “separatist”. Kina kritikoi ashpër fjalimin e tij të inaugurimit, në të cilin ai i kërkoi Pekinit të ndalonte kërcënimet dhe deklaroi qartë se të dyja anët e ngushticës “nuk janë në varësi të njëra-tjetrës”. Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike, por është i detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet për të mbrojtur veten si mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i ishullit.