Trupat koreano-veriore të dislokuara në rajonin rus Kursk, që luftojnë krah ushtrisë ruse, kanë regjistruar tashmë rreth 4,000 të vrarë dhe të plagosur në luftimet kundër ushtarëve ukrainas, sipas analizës më të fundit të publikuar nga shërbimet britanike të inteligjencës ushtarake.
Rreth 1,000 ushtarë koreano-veriorë janë vrarë në luftë, që përfaqëson praktikisht një të katërtën e humbjeve totale të regjistruara.
“Shkalla e lartë e humbjeve të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (RPDC) të regjistruara në një interval kaq të shkurtër kohor ka dëmtuar ndjeshëm aftësinë e forcave të RPDC për të ndërmarrë veprime ofensive, në mbështetje të forcave ruse, me qëllim për të zmbrapsur trupat ukrainase nga rajoni,” thuhet në komunikatën e publikuar nga Ministria Britanike e Mbrojtjes.
Megjithatë, trupat koreano-veriore kanë arritur, pavarësisht humbjeve të mëdha, të sigurojnë disa “fitore taktike” në rajonin Kursk.
Në të njëjtën kohë, trupat ruse dhe koreano-veriore kanë një nivel të ulët të “interoperabilitetit” për shkak të problemeve me gjuhën dhe integrimin e ushtarëve të Phenianit në strukturën e forcave ruse.
**Lexo gjithashtu:** Ushtarët kamikazë të Kim-it: Koreano-veriorët në Kursk trajnohen “të shpërthejnë veten” para se të kapen nga ukrainasit
Koreja e Veriut ka dërguar në Kursk, sipas vlerësimeve të shërbimeve sekrete perëndimore dhe koreano-jugore, rreth 11,000 – 12,000 ushtarë.
Me shkallën aktuale të humbjeve (ushtarë të vrarë dhe të plagosur), Instituti për Studimin e Luftës (ISW) vlerëson se i gjithë kontingjenti i trupave koreano-veriore do të shkatërrohet plotësisht deri në fund të muajit prill.
Gjithashtu, trupat ruse regjistrojnë 30,000 – 45,000 humbje (ushtarë të vrarë/plagosur) në muaj, sipas ISW.