Një aeroplan privat ka arritur nga Rotterdami i Holandës në Aeroportin e Prishtinës, transmeton IndeksOnline.
Në të sapo janë futur ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu, të cilët dje u arrestuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Ata e kaluan natën në zyret e EULEX-it në Fushë Kosovë ndërsa sot po marrin rrugën drejt Hagës ku do të dalin para trupit gjykues.
ZPS-ja dje nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se janë kryer arrestime e bastisje në disa shtëpi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, është thënë në njoftimin e ZPS-së./IndeksOnlin