Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është shprehur se çdo vendim në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut.
KFOR-i ka thënë se ka prani “fikse në urë” dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth dhe se nuk do të hezitojë “të ndërhyjë ndaj çdo zhvillimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.
“Qëndrimi ynë për këtë çështje (hapjen e Urës së Ibrit, shën.red.) ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Misioni i KFOR-it ka një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të ndërhyjmë ndaj çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, tha KFOR-i për Klankosova.tv.
Dje, institucionet e Kosovës kanë kryer inspektime mbi qëndrueshmërinë fizike të Urës së Ibrit, ndërsa sot, mbi urë janë bërë testime fizike me kamionë të cilët kaluan mbi urë.