Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka thirrur për javën e ardhshme Këshillin NATO-Ukrainë, njoftoi të premten një zëdhënës i Aleancës, pas një sulmi të ri raketor nga Rusia kundër Ukrainës, i cili konsiderohet një përshkallëzim i ri dhe i rrezikshëm i konfliktit, raporton DPA.
Përdorimi nga Moska i një rakete balistike eksperimentale me rreze të mesme veprimi, në një sulm ndaj qytetit ukrainas Dnipro, do të jetë pika kryesore e agjendës që do të diskutohet të martën, shpjegoi zëdhënësi.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se gjashtë mbushje luftarake jo-bërthamore goditën të enjten në mëngjes qytetin industrial Dnipro, i cili ndodhet në lindje të Ukrainës.
Putin kërcënoi se do të përdorë armën e re, të quajtur *Oreşnik*, në disa sulme të tjera. Në një mesazh video, ai tha se raketa fluturon me shpejtësi hipersonike dhe nuk mund të kapet nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Kreu i shtetit rus shtoi se përdorimi i kësaj arme është një përgjigje ndaj vendimit të fundit të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë për t’i lejuar Kievit përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin e Rusisë.
“Kjo përshkallëzim, e shkaktuar nga Perëndimi, e ka çuar konfliktin rajonal në Ukrainë në përmasa globale,” deklaroi lideri rus.
Konsultimet në Bruksel do të organizohen pas një kërkese nga Kievi dhe do të zhvillohen në nivel ambasadorësh.
Këshilli NATO-Ukrainë u mblodh për herë të parë vitin e kaluar, gjatë samitit në Vilnius. Ky organizëm i ri është krijuar për të lehtësuar shkëmbimet e opinioneve në situata krize dhe për të mundësuar një bashkëpunim më të ngushtë derisa të plotësohen kushtet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Këto kushte përfshijnë përfundimin e pushtimit të gjerë rus dhe reformat e brendshme në Ukrainë.