Asamblistët e Kuvendit komunal në Mitrovicën Veriore kanë kërkuar që të bëhet largimi i rrethojave përreth objektit të komunës. Këtë kërkesë, nga Kuvendi komunal, kanë thënë se do ta shqyrtojnë. E njohësit e rrethanave politike thonë se njëjtë sikurse në komunat e tjera veriore duhet të bëhet largimi i rrethojave.
Për të hyrë në objektin e komunës së Mitrovicës Veriore, qytetarët duhet të kalojnë këto rrethoja.
Tash e sa vite këto janë vendosur për të shtuar sigurinë e këtij institucioni.
Por së fundmi, nga asamblistët e kuvendit komunal është kërkuar largimi i tyre.
“Një ndër kërkesa e asamblesë ishte që objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut të largojë ato rrethojat që ka, edhe ato pengesat në trotuar, ne po kërkojmë që të hapet ura ndërsa objekti është i rrethuar me rrethoja metalike, i kemi të gjitha komunat që janë të hapura për qytetarët”, ka thënë asamblisti Betim Osmani.
E këtë kërkesë, nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut thonë se do ta shqyrtojnë.
“Do të shqyrtojmë edhe largimin e rrethojave, do të shohim të sjellim ndonjë vendim qe në komunë të jetë hapësira e lirë”, shprehet kryesuesi Nexhat Ugljanin.
Madje edhe njohësi i rrethanave politike, Ibrahim Delija, kërkon që të bëhet largimi i këtyre rrethojave.
“Mendoj që është arritur koha që të largohen edhe këto rrethoja sepse nëse i shohim komuna të tjera në pjesën veriore hapësirat për rreth i kanë komplet të hapura ndërsa vetëm tek ne është i mbyllur”, ka thënë Ibrahim Delija, njohës i rrethanave politike.
Ndryshe, në Komunën e Zveçanit, Leposaviqit, e në atë të të Zubin Potokut, janë larguar rrethojat që ishin vendosur për të siguruar objektet komunale.