Ngjarjet e fundit tregojnë se ekziston një rrezik real për shpërthimin e një konflikti global, deklaroi të premten kryeministri polak Donald Tusk, pas lansimit nga Rusia të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi mbi një qytet ukrainas, raporton Reuters.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se lansimi i raketës ishte një përgjigje ndaj faktit që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë lejuar Kievit të godasë territorin e Rusisë me armë të avancuara perëndimore, një vendim që, sipas tij, i ka dhënë konfliktit “elemente me karakter global”.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky e cilësoi sulmin me raketë nga Rusia si një përshkallëzim të ri, pas dislokimit të trupave koreano-veriore në territorin rus.
“Lufta në lindje po hyn në një fazë vendimtare; ndiejmë se e panjohura po afrohet,” tha Tusk në një konferencë për mësuesit.
“Konflikti po merr përmasa dramatike. Orët e fundit kanë treguar se kërcënimi është serioz dhe real për një konflikt global,” paralajmëroi kryeministri polak.
Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe Bjellorusinë, ka qenë në krye të thirrjeve ndaj anëtarëve të NATO-s për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen dhe vetë ka ndarë 4.7% të produktit të brendshëm bruto për të forcuar forcat e saj të armatosura deri në vitin 2025.
Të enjten, Rusia po ashtu deklaroi se një bazë e re e mbrojtjes antiraketore e SHBA-së në veriun e Polonisë do të rrisë nivelin e përgjithshëm të rrezikut bërthamor, ndërkohë që Varshava argumentoi se “kërcënimet” nga Moska forcojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes së NATO-s.