Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka falur dje 10 të burgosur, mes të cilëve edhe persona të lidhur me botën e krimit dhe drogës, për të cilët ajo thotë se nuk i njeh me emër dhe mbiemër, por i ka besuar Komisionit të Faljes të përbërë nga ekspertë të lartë të asaj fushe.
Profesori universitar dhe anëtari i Komisionit për falje, Gordan Kalajxhiev, në një deklaratë për media thotë se në Maqedoni numri i faljeve është shumë i vogël dhe me një periudhë shumë të shkurtër të lirimit nga vuajtja e dënimit me burg.
“Qëndrimi im si profesor është që faljet i japim pak dhe shkurt, duke pasur parasysh që nuk u japin as lirim me kusht, dënimet janë shumë të rrepta dhe kushtet në burgje janë të këqija dhe meritojnë shumë më tepër falje, lirim me kusht, madje edhe amnisti si kompensim dhe ngushëllim”, thotë ai.
Kalajxhiev thotë se kushtet në burgjet e Maqedonisë janë katastrofike dhe se politika penale është shumë më e ashpër në krahasim me vendet e BE-së, duke shtuar se njerëzit janë burgosur me vite për aksidente, posedim të sasisë simbolike të drogës dhe kundërvajtje të tjera për të cilat, siç thotë, në BE jepen dënime dukshëm më të lehta.
“Në bazë të këtyre problemeve serioze që kemi në burgje dhe politikës së rreptë penale që e kemi, mendoj se është çnjerëzore dhe ne falim në raste aq të kufizuara sa që edhe unë personalisht nuk ndihem rehat”, mendon Kalajxhiev.
Profesor Kalajxhiev thotë se kostoja e mbajtjes së një të burgosuri për shtetin është shpenzim i rëndë, duke shtuar se burgu “Idrizovë” është shpallur burgu më i keq në Evropë.
“Këshilli i Evropës mosdhënien e faljes apo uljen e dënimit të të dënuarit me burgim të përjetshëm e konsideron si trajtim çnjerëzor”, thotë Kalajxhiev, duke iu referuar Ligjit për falje, i cili nuk lejon falje për të dënuarit me burgim të përjetshëm.