Sipas ekonomistëve, kjo praktikë e konsoliduar në këtë qeveri tregon “për mungesë vizioni” për zhvillimin e vendit dhe “dështim” në ekzekutimin e buxhetit, që për rrjedhojë krijon suficit financiar, i cili pastaj shpërndahet me një klik në skema sociale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt, njoftoi këtë të diele se Qeveria që e drejton ka ndarë nga 100 euro për pensionistët dhe për gjithë fëmijët të moshave nga 0 deri 16 vjet, mirëpo ekspertët e ekonomisë këtë po e konsiderojnë si “populizëm” me “prapavijë elektorale”, meqë vlerësojnë që kjo formë e shpërndarjes së parasë është tregues për mungesë vizioni në zhvillimin e vendit.
Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Erton Begës, kjo praktikë e konsoliduar në këtë qeveri tregon “për mungesë vizioni” për zhvillimin e vendit dhe “dështim” në ekzekutimin e buxhetit, që për rrjedhojë krijon suficit financiar, i cili pastaj shpërndahet me një klik në skema sociale.
“Nëse qeveria e ka seriozisht ndihmën për të moshuarit, duhet ta bëjë këtë përmes ligjit duke nivelizuar pagesën mujore për pensionistët me koston e rritur të jetesës, e jo të operoj me politika të tilla populiste”, tha Bega për Albanian Post.
Megjithatë, ai thotë se shtesa për fëmijë është e mirëseardhur, por metodat e operimit në këtë formë nuk janë praktikë e shteteve demokratike, sepse si e tillë është “jo-serioze dhe e pamatur”.
“Veprimet ad-hoc dhe one-time-shoë nuk paraqesin politika zhvillimore të studiuara dhe vizion për të ardhmen, por janë pjesë e qëllimeve me prapavijë elektorale që krijojnë përcepcion për mbështetje shtetërore, por në fakt nuk është përkrahje e vazhdueshme”, ka shpjeguar Bega.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nagip Skenderi, ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët nga ekzekutivi e sheh si “truk qeveritar” për ta larguar vëmendjet nga zhvillimet politike.
“Shihet se është një truk qeveritar që ta largojë vëmendjen nga zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale për vendin. Thjesht, konsideroj se këto janë lëmosha sociale që i japin vendit një tretman të konceptit të varfërisë, e assesi të prosperitetit ekonomik e social”, theksoi Skenderi për AP.
Prandaj, profesori Skenderi insiston që partitë në pushtet, po ashtu edhe ato në opozitë do të duhej dalin me hartimin e strategjive ekonomike e sociale për një zhvillim ekomomik, e ngritje të standardit social të qytetarëve.
Në prag të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria ka ndarë nga 100 euro për pensionistët dhe për gjithë fëmijët të moshave nga 0 deri 16 vjet.
Gjatë një konference për media, Kurti ka theksuar se edhe pse sot është dita më e shkurtër e vitit, “pikërisht sot do ta bëjmë zgjatjen e dorës së shtetit”. Ndërsa ministri Hekuran Murati, ka theksuar se mjetet do të mundohen t’i ekzekutojnë gjatë javës së ardhshme.