Notat e skuadrave si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 22-të të Kategorisë Superiore.
EGNATIA 9 Kampionët në fuqi tregojnë forcën e tyre reale atëherë kur duhet. Me fitoren 0-2 në “Loro Boriçi” dhe mbi të gjitha me nivelin e lojën ata i treguan Vllaznisë diferencën mes tyre. Pak gabime dhe kundërsulme vrastare, mund të shënonin më shumë se 2 gola.
LAÇI 8.5 Ishte ndoshta rezultati më i papritur i javës. Laçi është si një ekip ekspert në fushën e Elbasanit, ka shfrytëzuar maksimalisht rastet që ka krijuar dhe në fund ka marrë 3 pikët që i bëjnë shumë punë në luftën për mbijetesë në Superiore. I paparashikueshëm.
TIRANA 8 Më në fund reagon edhe Tirana. Duhej të vinte sërish ndeshja me Bylisin, që bardheblutë të festonin për një trepikësh në kampionat. Me ndryshimin e trajnerit kryeqytetasit duket se kanë ndryshuar marsh, duke u shfaqur si një skuadër tjetër në një transfertë delikate.
SKËNDERBEU 7.5 Kur përmbys rezultatin, do të thotë se ke bërë maksimumin dhe se ke forcë si skuadër. Skënderbeu u godit që në fillim të ndeshjes me Teutën, por e ktheu situatën në favor të tij për të marrë në fund atë që mund të jetë fitorja e kthesës së madhe.
DINAMO 6.5 Me pak kujdes më shumë mund të kishte marrë fitoren që do t’i jepte kreun e renditjes. Ajo ndeshje e mirë, me dominim në lojë ndaj Partizanit, u “prish” nga ai gol i pësuar në kohën shtesë. Megjithatë, barazimi në fushën e një rivali direkt nuk është keq.
PARTIZANI 5.5 Vuan jo pak skuadra e kuqe, që qartësisht ka humbur shumë në kualitet pas shitjes së disa titullarëve. Por mbrohet me rregull dhe në momente të caktuara arrin të godasë, siç ndodhi në derbi, ku mori 1 pikë në një ndeshje gati të humbur.
ELBASANI 4.5 Një nga ndeshjet më të dobëta të kësaj skuadre. Elbasani është dukur inferior kundër një kundërshtari të pjesës së poshtme të tabelës së renditjes, duke treguar ndoshta limitet e veta me grupin e lojtarëve që ka aktualisht.
VLLAZNIA 4.5 Kundër një kundërshtari si Egnatia, kampione në fuqi, nuk mund të kalosh kurrë në aventurë. Sepse ndëshkohesh, siç u ndëshkua Vllaznia që në fillim. Pastaj skuadra shkodrane u shfaq mjaft nervoze dhe menaxhoi shumë keq situatat kyçe të lojës.
TEUTA 4 Pati luksin që kaloi në avantazh shumë shpejt, por në fund doli pa pikë dhe kjo është e pafalshme. Teuta nuk mundi ta mbronte golin e Llocit, edhe pse luante ndaj ekipit që mbyllte tabelën e renditjes dhe tani noton në ujëra të turbullta.
BYLISI 4 Ndeshje për t’u harruar, krejtësisht ndryshe nga ato të javëve të fundit. Bylisi nuk bëri thuajse asgjë kundër Tiranës dhe u ndëshkua me 3 gola, duke pësuar një humbje të thellë. Mund të ishte një ditë “Jo”, por loja la shumë për të dëshiruar.