“Japonia ndodhet në kufijtë e katër pllakave tektonike, gjë që e bën atë një nga zonat më të prekura nga tërmeti në botë”, ka thënë Shoichi Yoshioka, profesor në Universitetin Kobe të Japonisë. “Rreth 10 për qind e tërmeteve në botë me magnitudë 6 ose më të lartë ndodhin brenda ose rreth Japonisë, kështu që rreziku është shumë më i lartë se në vende si Evropa ose lindja e Shteteve të Bashkuara, ku tërmetet janë të rralla”, ka shtuar Yoshioka.
Teksa lëkundjet kanë tronditur një pjesë në perëndim të Japonisë të enjten e kaluar, organet e qeverisjes lokale dhe kombëtare janë hedhur në veprim.
Meteorologët u mblodhën dhe lëshuan rekomandime të përkohshme për cunami. Një komitet i posaçëm ka paralajmëruar se një tjetër tërmet i madh mund ta godasë vendin gjatë javës së ardhshme. Kjo qe hera e parë në historinë e tij që ky organ e ka lëshuar këtë lloj paralajmërimi.
Si masë paraprake nisën vonesat e udhëtimit me trena të shpejtë e kryeministri Fumio Kishida anuloi udhëtimet e tij jashtë shtetit.
Si përfundim Qeveria tërhoqi shumicën e rekomandimeve të dhëna dhe nuk raportoi dëme të mëdha nga tërmeti 7.1 ballësh. Megjithatë, pjesa më e madhe e vendit mbeti në gatishmëri për tërmete të tjera, duke u përgatitur për emergjenca të mundshme gjatë kësaj kohe, e cila është piku i sezonit të udhëtimeve për shkak të pushimeve verore.
Ekspertët, nga ana tjetër, kanë hedhur dyshime nëse rekomandimet e dhëna javën e kaluar janë të nevojshme dhe të sakta.
Japonia nuk është e panjohur me tërmetet të forta. Shtrihet në Unazën e Zjarrit, një zonë me aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik në të dyja anët e Oqeanit Paqësor.
“Japonia ndodhet në kufijtë e katër pllakave tektonike, gjë që e bën atë një nga zonat më të prekura nga tërmetet”, ka thënë Shoichi Yoshioka, profesor në Universitetin Kobe të Japonisë. “Rreth 10 për qind e tërmeteve në botë me magnitudë 6 ose më të lartë ndodhin brenda ose rreth Japonisë, kështu që rreziku është shumë më i lartë se në vende si Evropa ose lindja e Shteteve të Bashkuara, ku tërmetet janë të rralla”, ka shtuar Yoshioka.
Tërmeti më i keq në historinë më të re të Japonisë ishte në Tohoku me magnitudë 9.1 ballë në vitin 2011, që shkaktoi cunami të madh dhe katastrofë bërthamore. Rezultoi me rreth 20.000 njerëz të vdekur.
Një tërmet në Nankai Trough, me magnitudë që mund të kalojë mbi 9, sipas sizmologëve mund të vijë potencialisht brenda disa dekadash, megjithëse shkenca ka dyshime.
Qeveria japoneze për disa vjet ka paralajmëruar për tërmetin e mundshëm në Nankai Trough, saqë mundësia e tij është bërë e njohur. Por, është gjithashtu e diskutueshme pasi disa shkencëtarë argumentojnë se është e paefektshme të përqendrohesh vetëm në shanset e pakta të një tërmeti hipotetik në një pjesë të caktuar të Japonisë, veçanërisht kur pjesë të tjera të vendit përballen me kërcënime të ngjashme, por marrin shumë më pak vëmendje.
“I madhi” çdo 100 deri në 200 vjet
Nankai Trough është një luginë nënujore rreth 700 kilometra e gjatë. Shumica e tërmeteve dhe cunamit në botë shkaktohen nga lëvizjet e pllakave tektonike – dhe më të fuqishmit ndodhin shpesh në zona të tilla.
Nankai Trough shkon përgjatë shtratit të detit jashtë prefekturës Shizuoka në jugperëndim të Tokios, deri në prefekturën Kyushu. Është pikëtakimi i pllakës së Detit të Filipineve dhe pllakës Euroaziatike, të cilat janë dy nga rreth 10 pllaka tektonike të forta shkëmbore në botë.
Pllaka tektonike nën Detin Filipine po rrëshqet ngadalë nën pllakën kontinentale ku ndodhet Japonia, duke lëvizur disa centimetra çdo vit, sipas një raporti të vitit 2013 nga Komiteti i Kërkimit të Tërmeteve i Qeverisë së Japonisë.
Sipas këtij komiteti, në Nankai Trough tërmete të forta janë regjistruar çdo 100 deri në 200 vjet. Tërmetet e fundit të tilla ndodhën më 1944 dhe 1946, të dy me magnitudë 8.1 ballë. Ata “shkatërruan” Japoninë, me të paktën 2.500 vdekje totale dhe mijëra të tjerë të lënduar, si dhe dhjetëra mijëra shtëpi të shkatërruara.
Duke llogaritur intervalet midis çdo tërmeti të madh, qeveria japoneze ka paralajmëruar se ka shanse 70 deri në 80 për qind që Japonia të tronditet nga një tjetër tërmet në Nankai Trough brenda 30 vjetëve, që pritet të jetë mes magnitudës 8 dhe 9.
Por këto parashikime janë përballur me reagime të forta nga disa anë.
Yoshioka nga Universiteti Kobe tha se kjo përqindje mund të jetë shumë e lartë dhe se të dhënat janë marrë nga një teori specifike, duke rritur mundësitë që ajo të jetë e gabueshme. Megjithatë, ai nuk pati asnjë dyshim se “një tërmet i madh do të ndodhte në këtë zonë në të ardhmen”.
“Unë u them studentëve të mi se tërmeti Nankai Trough do të vijë patjetër, qoftë gjatë brezit tuaj apo brezit të fëmijëve tuaj”, ka thënë ai.
Robert Geller, sizmolog dhe profesor në Universitetin e Tokios, u shpreh më skeptik duke e quajtur tërmetin Nankai Trough një “konstrukt të sajuar” dhe skenar hipotetik.
Ai gjithashtu argumentoi se tërmetet nuk ndodhin në cikle, por mund të ndodhin në çdo vend dhe në çdo kohë – që do të thotë se nuk ka kuptim të llogaritet se kur do të ndodhë tërmeti tjetër bazuar në atë se kur kanë ndodhur të mëparshmit.
“Është e vërtetë se pas një tërmeti mund të pasojë një i dytë, më i madh – kjo është arsyeja pse autoritetet lëshuan paralajmërimin të enjten e kaluar. Por edhe atëherë probabiliteti që tërmeti Nankai Trough të ndodhë ditën tjetër është i ulët”, ka theksuar Yoshioka.
Populli po përgatitet
Njerëzit në Japoni janë në gatishmëri të lartë.
Yota Sugai, student 22-vjeçar, ka thënë se duke parë paralajmërimin në televizion ka ndier një lloj frike dhe ndjenjë urgjence “si një lloj thirrjeje zgjimi”.
Ai ka treguar se pas tërmetit të së enjtes ka siguruar furnizime emergjente si ushqim dhe ujë, ka monitoruar hartat në internet për zonat me rrezik dhe ka menduar t’i vizitojë të afërmit e tij në zonat bregdetare për t’i ndihmuar ata të planifikojnë rrugët e evakuimit.
“Tërmeti i fundit në ditën e Vitit të Ri më kujtoi se nuk dihet asnjëherë se kur do të godasë tërmeti. Më bëri të kuptoj fuqinë e tmerrshme të natyrës”, ka thënë ai, duke iu referuar tërmetit me magnitudë 7.5 që goditi Gadishullin Noto më 1 janar të këtij viti – duke shkaktuar qindra viktima , përfshirë dhjetëra që vdiqën edhe pas tërmetit.
Studentja Mashiro Ogawa, 21-vjeçare, mori masa paraprake të ngjashme, duke përgatitur çantë urgjence në shtëpi dhe duke u kërkuar prindërve të saj ta bëjnë të njëjtën gjë. Ajo ka thënë se do t’i shmangë plazhet tani për tani dhe do të ndryshojë mobiliet në shtëpinë e saj, si për shembull t’i largojë raftet pranë shtratit dhe t’i marrë disa rafte më të ulëta për pjesën tjetër të dhomës.
“Nuk dukej si çështje urgjente më parë, por tani konsiderohet shumë reale”, ka deklaruar ajo.
Një pjesë e arsyes që njerëzit po e marrin kaq seriozisht çështjen është për shkak të numrit të tërmeteve që tronditin Japoninë dhe se sa të shpeshta janë ato. Fatkeqësia e vitit 2011 la plagë të mëdha në psikikën e këtij populli, të cilat komplikohen nga tërmete të tjera të mëdha çdo disa vjet.
“Çdoherë jemi dëshmitarë të humbjeve tragjike të jetëve, ndërtesave që rrënohen dhe cunamit që shkaktojnë shkatërrime, duke lënë frikë te njerëzit. Mendoj se kjo kontribuon në mënyrë të konsiderueshme pse Japonia është kaq e përgatitur”, ka vlerësuar Yoshioka nga Universiteti Kobe.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse qeveria japoneze thekson përgatitjen për të shmangur një tjetër tragjedi të madhe si tërmeti i vitit 2011.
Japonia njihet gjerësisht si lidere botërore në gatishmërinë ndaj tërmeteve, që nga infrastruktura e deri te sistemet e saj të ndihmës dhe shpëtimit.
Megumi Sugimoto, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Osakës, e specializuar në parandalimin e fatkeqësive, ka thënë se përgatitja fillon në shkollë – madje edhe në kopshtet që mbajnë stërvitje evakuimi për të vegjlit.
“Nuk janë vetëm tërmetet dhe cunami, por fatkeqësi të tjera ndodhin shpesh, veçanërisht në sezonin e verës”, u shpreh ajo, duke treguar për tajfunet, shiun e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet.
“Ndërgjegjësimi publik dhe masat paraprake, si grumbullimi i furnizimeve emergjente, mund të ndihmojnë në mbrojtjen e njerëzve nga çdo lloj fatkeqësie”, ka shtuar Sugimoto.