Nuk dihet ende kur do të miratohet plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit pasi i njëjti është në procedurë në Ministrinë e Transportit ku janë konstatuar vërejtje të cilat Komuna e Tetovës duhet t’i përmirësojë.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve Kaltrina Zekolli Shaqiri tha se ky plan ende është në procedurë në ministri, ku ka disa vërejtje të vogla që duhet të përmirësohen nga komuna.
“Besojmë se sapo të përmirësohen këto vërejtje, plani do të kalojë. Jemi të përqendruar që ta kalojmë këtë plan, por jo me gabime si në të kaluarën. Po mundohemi të bëjmë punë të mira duke iu përmbajtur ligjeve, në mënyrë që të mbrojmë natyrën dhe të krijojmë diçka të mirë për qytetarët”, tha Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Nga Ministria e Transportit sqaruan se vërejtjet ende nuk janë dorëzuar në Komunën e Tetovës sepse ende nuk është i shqyrtuar i gjithë plani. Të njëjtat do të dorëzohen pasi të kontrollohet i gjithë plani.
Premtimet dhe afatet kohore për miratimin e planit detal urbanistik për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur. Afati i fundit i dhënë nga kryetari i Komunës së Tetovës ishte se ky plan do miratohej në tetor 2024, por që nuk u bë. Kasami tha se vonesa ka ardhur për shkak të bisedimeve me investitorin e interesuar për Kodrën e Diellit.
I pyetur nga Portalb.mk se pse ende nuk është miratuar plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit, Kasami tha se nuk ka ndonjë problem dhe se i njëjti është dorëzuar në Ministrinë e Transportit për të marrë pëlqim që pastaj të kalojë në këshillin komunal.
“Pra është krejt në fazën përfundimtare. Vonesa është për shkak se ne kemi pasur një takim në Ministri të Punëve të Jashtme bashkë me Ministrinë e Transportit me investitorin italian i cili ka qenë i promovuar gjatë kohë për në Kodër të Diellit, i cili prezantoi idenë e tij dhe komunikimi me Ministrinë e Transportit ka qenë që nëse do të ketë investitori italian ndonjë kërkesë të cilën ne do duhet ta implementojmë në plan, do duhet të presim mos e miratojmë”, tha Kasami.
Kujtojmë që Kasami disa herë ka dhënë afate për miratimin e planit urbanistik për Kodrën e Diellit të cilat nuk u përmbushën, në shtator 2024, në nëntor 2023, në janar 2022 dhe në programin zgjedhor 2021/25 me të cilin ai garoi në zgjedhjet lokale për Tetovën .
Nga ana tjetër, më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane.
Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.