Policia italiane ka njoftuar të mërkurën shpërbërjen e një grupi të armatosur turk ”me objektiva terroriste” dhe arrestimin e 19 personave, përfshirë një lider me origjinë kurde me lidhje me sulmet e fundit në Turqi, raporton AFP.
Qindra policë janë mobilizuar në Itali, Zvicër, Gjermani dhe Turqi për të arrestuar këta shtetas turq që janë pjesë e një rrjeti të dyshuar kriminal “me qëllim krijimin e një organizate terroriste për të kryer sulme”.
Grupi gjithashtu dyshohet për krime, trafik ndërkombëtar të drogës dhe ndihmë për emigracion të paligjshëm, ka specifikuar policia në komunikatën e saj, duke përmendur se ka përdorur një seri “komplekse” të përgjimeve telefonike dhe ka përfituar nga ndihma e Interpol-it.
Baris Boyun, 39 vjeç, lideri i një grupi të dyshuar për krime në Turqi, është arrestuar nga policia italiane dhe turke në Viterbo, në veri të Romës, ku ishte tashmë në arrest shtëpie pas një arrestimi të parë në gusht 2022 në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar. Ekstradimi i tij në Turqi është refuzuar nga një gjykatë italiane.
Në Turqi, ministri i brendshëm Ali Yerlikaya ka specifikuar se 17 persona të arrestuar kishin shtetësi turke, përfshirë Baris Boyun, dhe dy kishin shtetësi italiane.
Në shkurt, ky grup ka pasur lidhje me një sulm ndaj një mbledhjeje elektorale në Stamboll të një kandidati për kryetar bashkie të partisë AKP të presidentit Recep Tayyip Erdogan për zgjedhjet e 31 marsit.
Ministri turk i brendshëm ka njoftuar në mars një operacion të madh kundër këtij grupi që ka çuar në arrestimin e 13 personave në provincën Tekirdag, pasi ata dyshoheshin se po planifikonin vrasje dhe sulme të armatosura.
Tetë persona të tjerë të dyshuar se janë pjesë e të njëjtit grup janë arrestuar në prill në Izmir, sipas ministrit.
Sipas një komunikate të prokurorisë së Milanos, grupi kriminal prezent në Itali ishte “i lidhur me grupe të tjera të huaja, të shpërndara në territorin evropian”, të gjitha “të lidhura mes tyre dhe të afta të ndihmonin njëra-tjetrën në planin logjistik, veçanërisht përmes furnizimit me armë dhe njerëz”.