Zbardhen detaje të reja nga atentati ndaj 27-vjeçarit, Klaudio Prendi pak pas mesnatës së datës 19 nëntor, në zonën e Xhamllikut. Djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, i larguar nga sistemi në vitin 2020 ndodhej në ambientet e një lokali, para se të ekzekutohej, në shoqërinë e tre policëve, shokë të tij.
Rreth orës 01.00 të mëngjesit, 27-vjeçari është ngritur nga tavolina ku ndodhej së bashku me tre efektivët dhe i është drejtuar automjetit të tij G-Class, i parkuar pak metra larg lokalit, në rrugën kryesore ngjitur me stacionin e autobusëve. Me të hipur në makinë, një “Audi A4” i afrohet menjëherë dhe nga xhami i pasëm i tij, hapet zjarr në drejtim të të riut. Gjithçka ndodh në pak sekonda.
AMP ka nisur hetimet për 3 efektivët e Policisë së Shtetit që ndodheshin në shoqërinë e Klaudio Prendit, lidhur me veprimet e tyre, pas krimit. Policët dyshohet se ishin jashtë orarit të shërbimit dhe nuk kanë ndërhyrë kur pak metra më tej po zhvillohej skena kriminale.
Autorët dogjën automjetin në zonën e Shkozës, brenda të cilit u gjet edhe arma e përdorur në vrasjen e 27-vjeçarit.
Dy janë pistat që hetohen si shkak për vrasjen, ajo për çështje borxhi dhe përfshirja e mundshme e viktimës në veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.