Trump: “Nuk e di, diçka duhet të ndodhë”
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se ka biseduar me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, mbi mundësinë e ndërtimit të strehimoreve për të zhvendosur mbi një milion palestinezë nga Rripi i Gazës në vende si Egjipti ose Jordania, raporton CNN.
“I thashë që do të isha i kënaqur nëse ata do të merrnin më shumë (palestinezë), sepse tani po shoh Rripin e Gazës dhe gjithçka është një rrëmujë, një rrëmujë e madhe aty,” deklaroi Trump për gazetarët në një deklaratë të dhënë në bordin e avionit presidencial të SHBA-së, Air Force One.
Aktualisht, në Jordani ndodhen mbi 2.39 milionë refugjatë palestinezë, sipas OKB-së.
Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar zhvendosjen e banorëve nga Rripi i Gazës në Egjipt dhe Jordani si pjesë e një plani paqeje për të pastruar territorin palestinez, ku armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit ka hyrë të dielën në javën e tij të dytë, sipas AFP-së.
Marrëveshja e armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar është duke u mbajtur dhe të shtunën lejoi shkëmbimin e katër pengjeve izraelite me rreth 200 të burgosur palestinezë.
Trump: “Nuk e di, diçka duhet të ndodhë”
Pas 15 muajsh lufte, Donald Trump e krahasoi të shtunën mbrëma enklavën palestineze me një “vend shkatërrimi” dhe tha se kishte biseduar me Mbretin Abdullah II të Jordanisë për situatën, duke shtuar se do të bënte të njëjtën gjë të dielën me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sissi.
“Po flasim për 1.5 milionë njerëz dhe thjesht do të bëjmë pastrim aty. E dini, gjatë shekujve, ky vend ka kaluar nëpër shumë konflikte. Dhe, nuk e di, diçka duhet të ndodhë,” u tha Donald Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One.
“Do të preferoja të përfshihesha me disa kombe arabe dhe të ndërtoja strehimore diku tjetër, ku ata mund të jetojnë në paqe të paktën një herë,” shtoi presidenti amerikan.
Sipas tij, zhvendosja e banorëve nga Rripi i Gazës mund të jetë “e përkohshme ose afatgjatë”.
Agjencia spanjolle e lajmeve EFE raportoi të dielën se presidenti Trump kishte zhvilluar të shtunën një bisedë telefonike me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, ku të dy diskutuan mbi “rëndësinë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit” në Lindjen e Mesme.
Në një komunikatë të shkurtër, Shtëpia e Bardhë detajoi se mbreti i Jordanisë e përgëzoi presidentin Trump për inaugurimin e tij, ndërsa republikani e falënderoi monarkun për “miqësinë e gjatë” mes dy vendeve.
Shumica e madhe e 2.4 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë zhvendosur, shpesh herë në mënyrë të përsëritur, nga lufta e nisur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.
Donald Trump, i cili shpesh është mburrur gjatë mandatit të tij të parë presidencial se Izraeli “nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë”, konfirmoi të shtunën se kishte zhbllokuar një dërgesë bombash prej 2,000 paundësh (907 kg) për aleatin e tij në Lindjen e Mesme.
Administrata e ish-presidentit demokrat Joe Biden kishte pezulluar dërgesat e këtyre bombave të hedhura nga avionët, të cilat janë të sakta dhe me një fuqi të madhe shkatërrimi, duke thënë se ato mund të shkaktonin një “tragjedi të madhe njerëzore”.
France Presse kujton se Donald Trump ka ushtruar presion intensiv mbi të dyja palët që të përfundojnë një marrëveshje armëpushimi përpara inaugurimit të tij më 20 janar.