Ftesave për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore nuk iu përgjigj.
Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk ka hequr dorë nga kryeministri Albin Kurti.
Ky institucion tani i është drejtuar Gjykatës Themelore me një kërkesë që Kurti të urdhërohet për të dhënë dëshminë e tij.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. E njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata.”
As Gjykata Themelore në Prishtinë dhe as Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë detaje rreth kërkesës së prokurorëve drejtuar gjyqësorit.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thotë se, në bazë të kërkesës së prokurorisë, gjykata do të vendosë nëse do ta gjobisë Kurtin apo do ta dërgojë me forcë në prokurori.
“Ligji njeh disa alternativa nëse dëshmitari nuk paraqitet. Ai mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro. Nëse kjo masë nuk ka efekt, atëherë dëshmitari sillet me detyrim në zyrat e institucionit që e ka ftuar. Ligji i parasheh këto alternativa dhe besoj se gjykata, varësisht nga kërkesa e prokurorit, do të aplikojë njërën prej tyre,” ka deklaruar Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, raporton RTVD.
Hasani shton se Kurti do të duhej të shkonte vullnetarisht për të ofruar dëshminë e tij, meqë kështu e parasheh ligji.
“Unë besoj se ai do të duhej ta bënte këtë, sepse çdo rrugë tjetër do të ishte e gabuar, si për vetë Kurtin, ashtu edhe për shtetin e Kosovës. Ne e dimë se jemi nën vëzhgimin e mekanizmave ndërkombëtarë dhe në rrugën drejt integrimeve,” ka theksuar ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar, dy prokurorë nënshkruan ftesën drejtuar Kurtit për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore. Ftesa iu përsërit disa ditë më vonë, meqë në datën e parë të caktuar, 16 dhjetor, Kurti ishte jashtë shtetit.
Por as në ftesën e dytë Kurti nuk u paraqit fizikisht në Prokurorinë Speciale dhe, në vend të kësaj, u kishte ofruar prokurorëve disa data si mundësi për t’u intervistuar në objektin e Qeverisë.