Tirana do ta fitojë derbin nëse përqendrohet në sulm, ndërsa Partizani është i dobësuar”.
I këtij mendimi është ish-futbollisti i bardhebluve, kapiteni dhe benjamini i tifozëve Gentian Muça. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i 21-vjeçarëve të Tiranës dhe njëkohësisht fitues i disa trofeve me bardheblutë, preku me kujdes çdo problem te bardheblutë si dhe paralajmëroi se nëse skuadra nuk fokusohet te qëllimi, rrezikon fundin e tabelës.
Muça, cili është mendimi juaj për bardheblutë në prag të kësaj sfide me Partizanin?
Është një ndeshje ku të thuash se mund të shpëtosh sezonin është pak. Tirana duhet të luajë një ndeshje me një qetësi që i mungon prej kohësh, pasi vjen nga rezultate jo të mira. Situata jo të këndshme. Te KF Tirana nuk është momenti për të gëzuar, por një fitore në derbi do të sillte qetësi në skuadër. Dhe me qetësi, kam parasysh se skuadra me një fitore në derbi do të kishte një predispozicion më shumë për vazhdimësinë, një motivim ekstra për lojtarët dhe do të linte pas krahëve të gjitha peripecitë që ka kaluar në këto 23-24 javë kampionat.
Skuadra është në fund të renditjes dhe këtë nuk e zbuluam sot, por cila është cilësia e këtij grupi?
Më tepër sesa cilësia, skuadra ka probleme me karakterin dhe performancën e secilit futbollist. Në ndeshje të caktuara, lojtarët luajnë shumë mirë, shfaqen shumë lart në fushën e lojës, bëjnë ndeshje perfekt si taktikisht dhe teknikisht si dhe zgjidhin shumë mirë situatat e ndryshme që kanë në lojë. Në kontekstin e përgjithshëm, bëhen gabime që nga skuadra të tjera janë mbuluar nga individë të caktuar, ndërsa te Tirana këto probleme kanë ndikuar me tre pikët e humbura apo humbje të panevojshme. Jo pak herë në ndeshjet ku trajner ka qenë Bledi Shkëmbi, ndeshja është barazuar minutën e fundit apo ka humbur avantazhin.
Në këtë plan që shpreheni ju, kësaj skuadre i mungon një lider që në momente të caktuara, të marrë për dore grupin?
Mendoj se skuadra ka liderë. Përgjoni është një prej tyre. Ai ka bërë maksimumin, por është i vetëm dhe kur je i vetëm, duhet të jemi realistë as Mesi me Argjentinën nuk ia del dot. Nga ana tjetër, koha e përshtatjes nuk mund të konsiderohet justifikim për pjesën tjetër të lojtarëve. Kanë shumë muaj në ekip. Lojtarët në momente të caktuara duhet të marrin përgjegjësi. Ndonjëri mund të thotë se unë e mora përgjegjësinë te penalltia, por jo ta tejkalojë. Këtë bëja unë kur qeshë futbollist dhe këtë gjë ia transmetoj edhe lojtarëve të rinj. Nëse secili do të bënte punën e tij mirë, panorama do të plotësohej. Në momentin që t’i merr përsipër të bësh më shumë se çfarë mund të bësh, atëherë do të çedosh, sepse të bie në kurriz barra e përgjegjësisë.
Pas ndeshjes së fundit, Tirana është ankuar për gjykimin. Mendon se ka ndikuar te rezultatet e bardhebluve?
Nëse marrim ndeshjen e fundit, padiskutim po. Vendimet e arbitrit e penalizuan jo pak. Dhe nuk ishte një çështje kartoni të kuq, por ishin disa vendime në përgjithësi, imuniteti që merr kundërshtari dhe mesazhi i frikës që marrin lojtarët e tjerë, në këtë rast ata të Tiranës. Gjyqtarët duhet të jenë më konkretë dhe të mos bëhen faktorë në fushën e lojës, pasi i vetmi personazh që nuk duhet të jetë në fokusin e palëve është arbitri. Nëse ai del mbi të gjithë është luajtur shumë pak
Po për Partizanin, cili është vlerësimi juaj?
Unë mendoj se skuadra e Partizanit ka rënie. Kjo jo vetëm nga dobësimi në merkaton e janarit, por edhe nga mënyra e lojës. Kjo skuadër nuk ka bindur këto javë. Ka marrë rezultate edhe duke mos luajtur mirë. Pra e kundërta e Tiranës, që për një gabim, ka humbur 3 pikët. Po kjo është një “armë” në aspektin psikologjik, pasi nuk është njëlloj sikur të jesh në katërshe pa lojëra të mira dhe jashtë katërshes me lojëra të mira. Presioni, padiskutim është te skuadra e Tiranës dhe favor për kundërshtarin.
Ju keni fituar disa derbi, madje edhe 5-1 në “Arena Kombëtare”. Si triumfohet në këtë sfidë?
I vërtetë është fakti që nuk ka fituar asnjë derbi, por i ka dominuar të gjitha. Si në ndeshjen e parë me Shkëmbin, por edhe në takimin e dytë me Maganin, ka qenë dominuese. Dhjetë raste nuk ka pasur se është derbi, por ka kontrolluar kundërshtarin. Ndryshime të mëdha nuk duhet të ketë, por agresiviteti duhet të jetë i ndryshëm, i dukshëm dhe maksimal. Në sulm duhet të jenë agresivë, sepse kapacitetin fizik e kanë. Në sulm, Tirana nuk duhet kursyer. Nëse shfaq agresivitetin, ndeshjen do ta nxjerrë me sukses.
Nëse Tirana është e nënta, fjala rënie nga kategoria çfarë do të thotë…
Skuadra nuk duhet të flejë mbi dafina. Për këtë aspekt nuk ka asnjë garanci. Ekipi nuk duhet të përsërisë gabimin e para shumë vitesh, ku thoshin: “hë mo se nuk bie Tirana”. Ndërkohë ndodhi ajo që nuk pritej. Tirana kaloi në Kategorinë e Parë. Për këtë qëllim nga skuadra duhet fokus maksimal, derisa skuadra matematikisht të qëndrojë në Superiore. Në këtë moment, ky duhet të jetë qëllimi primar i Tiranës, pastaj vinë të tjerat.