Ish-familja mbretërore e Greqisë mori nënshtetësinë greke dhe u betua për besnikëri ndaj republikës, në një lëvizje historike 50 vjet pasi vendi shfuqizoi monarkinë, raportoi Reuters të martën.
Dhjetë anëtarë të familjes, përfshirë fëmijët dhe nipërit e ish-mbretit Konstandin, i cili vdiq në vitin 2023, kishin aplikuar për shtetësi javën e kaluar.
Ish anëtarët mbretërorë e përshëndetën vendimin në një deklaratë të hënën, duke thënë se vdekja e babait dhe gjyshit të tyre shënoi fundin e një epoke.
Megjithatë, zgjedhja e tyre për të përdorur mbiemrin “De Grece” – frëngjisht për “të Greqisë” – ka zemëruar politikanët e krahut të majtë, të cilët argumentojnë se një titull fisnik është jokushtetues.
“Mbiemri që ata zgjodhën dëshmon se ata duan të ruajnë një mit,” tha Nikos Androulakis, kreu i partisë së qendrës së majtë PASOK, partia kryesore opozitare.
Ish-anëtarët e familjes mbretërore deklaruan se zgjedhja e një mbiemri ishte një kusht i domosdoshëm për rifitimin e shtetësisë, humbja e së cilës do t’i bënte ata pa shtetësi dhe do t’u shkaktonte shqetësime të konsiderueshme emocionale. Familja, thanë ata, ishte dhe do të jetë besnike ndaj Greqisë.
“Me emocion të thellë pas 30 vitesh mbajmë sërish shtetësinë greke”, theksuan ata.
Ish-mbreti i Greqisë, Konstandini II, u ngjit në fron në vitin 1964, por mbretërimi i tij u dëmtua nga paqëndrueshmëria politike, duke kulmuar me një grusht shteti ushtarak më 21 prill 1967.
Pas rënies së juntës në 1974, grekët kundërshtuan monarkinë në një referendum, duke e bërë Konstandinin mbretin e fundit të Greqisë. Athina i hoqi shtetësinë në vitin 1994 dhe vendosi kushtet në të cilat ai dhe familja e tij mund të njiheshin si shtetas grekë.