Eugent Zeka, ish-drejtori sportiv i Vllaznisë disa vite më parë, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.ZEKAAi ka komentuar në detaje humbjen e shkodranëve kundër Egnatias dhe ka theksuar se Vllaznia nuk ka pse të kalojë në panik nga kjo disfatë. Sipas Zekës, skuadra kuqeblu duhet të përmirësojë mentalitetin dhe disa gabime në lojë. Po ashtu, ai bën edhe një parashikim për duelin e radhës kundër Teutës.
Zeka, si e keni parë kampionatin shqiptar deri në këtë pikë?
Më vjen keq të shprehem në këtë mënyrë, por e shoh shumë të varfër në cilësi dhe rendiment kampionatin shqiptar. Futbolli profesionist në vendin tonë ka mbetur në vendnumëro, nuk po bën progres. Për garën deri tani nuk mund të them se është brenda pritshmërive, pasi në fillim ndonjë skuadër krijoi idenë sikur do të pretendonte më shumë. Elbasani, për shembull, në fillim krijoi idenë sikur do të ishte pretendent për në “Final 4”, më pas u largua nga ato vende. Një tjetër shembull është ai i Dinamos, që me “kurën” e trajnerit Ilir Daja u fut në lojë për titull. Skënderbeu gjithashtu, që e respektoj, nuk mendoja që në këtë periudhë të ishte në fund të tabelës.
Çfarë mund të këshilloje për këtë Vllazni?
E vetmja këshillë që mund të jap për Vllazninë lidhet pikërisht me çfarë u shpreha më sipër. Ajo duhet të punojë për të ndërtuar një skuadër me identitet sa më të fortë dhe mentalitet fitues, siç e ka pasur traditë gjithmonë futbolli shkodran. Vllaznia ka edhe fatin e madh të këtë tifozerinë inteligjente dhe njohëse të futbollit, që nuk dorëzohet kurrë dhe vazhdon të identifikohet për kulturën sportive. Kur të bëhen një, tifozeri dhe skuadër, çdo gjë do të bëhet fantastike për të gjithë ne që kemi Vllazninë në zemër.