Zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë përfunduar me sukses një trajnim njëjavor të përqendruar në hetimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Trajnimi, i organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, u ndoq nga 15 zyrtarë të IPK-së dhe synon përmirësimin e aftësive hetimore në luftën kundër korrupsionit.
Në këtë trajnim u përfshi edhe ekspertiza e një konsulenti ndërkombëtar me përvojë të gjerë në fushën e luftës kundër korrupsionit, duke sjellë praktikat më të mira dhe qasjet e avancuara hetimore për pjesëmarrësit.
Trajnimi mbuloi tema të rëndësishme që përfshijnë ndikimin e korrupsionit, duke u përqendruar në kostot dhe pasojat që ky fenomen sjell për shoqërinë dhe institucionet. Pjesëmarrësit u njohën me konventat dhe standardet kryesore ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit dhe përfituan njohuri të avancuara për korrupsionin administrativ, duke diskutuar praktikat më të mira të ndjekura në nivel global.
Një fokus i veçantë iu dha qasjeve për zbulimin e korrupsionit, duke përfshirë mjete dhe teknika moderne hetimore, si dhe kornizën strategjike për parandalimin e tij. Pjesëmarrësit u trajnuan gjithashtu në trajtimin e informatave për korrupsion dhe mbrojtjen e sinjalizuesve që denoncojnë rastet e tij, si dhe në mënyrat për identifikimin dhe menaxhimin e rasteve të konfliktit të interesit.
Në kuadër të trajnimit, një sesion specifik iu dedikua korrupsionit në prokurimin publik, duke adresuar sfidat dhe metodat e zbulimit të korrupsionit brenda këtij procesi. Një temë tjetër e rëndësishme ishte trajtimi i masave të fshehta të hetimit, përfshirë hetimet financiare dhe hetimet e stilit të jetesës, të cilat janë mjete thelbësore në luftën kundër korrupsionit.
Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohje ndaj Misionit të OSBE-së për mbështetjen e tyre në organizimin e këtij trajnimi, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të IPK-së.
©2024 All Right Reserved. I dizajnuar dhe i zhvilluar nga Gazetacenzure.com