Pacientët ankohen se nuk ka mjekë kujdestarë në Repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Kumanovës të cilët do ti shërbenin ata pas orës 15:00. Ata dëshmojnë se ka raste kur mjekimet dhe kontrollet e tyre i bëjnë infermieret. Infermierët thonë se bëjnë çmos që mos t’i lënë pacientët pa ndihmuar kur paraqiten për ndihmë. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë duke mos qenë konkretë në përgjigje thanë se në këtë spital ka katër mjekë specialistë dhe një specializant.
Portalb.mk bisedoi me qytetarin (B.A) nga Kumanova i cili më 7 nëntor rreth orës 21:00 të mbrëmjes ishte drejtuar në repartin e oftalmologjisë në Spitalin e Kumanovës për shkak se kishte pasur gjakderdhje brenda syve. Ai tregoi se gjatë kontrolles së tij, nuk ka pasur mjekë kujdestar.
“Javën e kaluar kisha probleme me sytë, kisha pëlcitje të kapilarit të njërit sy dhe kisha gjakderdhje. Kur arrita në Repartin e Oftalmologjisë më morën në dhomën për kontrolle, dhe gjatë kontrollit e pyeta infermieren e cila ishte duke më kontrolluar se a është mjeke apo infermiere? Ajo nuk u përgjigj, e pyes për të dytën herë hesht, dhe pas disa minutave e pyes për të tretën herë dhe më thotë a dëshironi t’ju trajtojmë apo jo?! Unë i përgjigjem që sigurisht se po, por pse nuk përgjigjeni? Ajo ma ktheu duke thënë se është infermiere dhe se mjekë kujdestar nuk ka. Unë iu drejtova duke i thënë se ju nuk jeni e kualifikuar të jepni recete e te definoni diagnozën time në mungesë të mjekut, ajo më tha se mundohet të kryejë punën e saj për arsye se ka përvojë dhe ka pasur kështu raste dhe mund të më ndihmojë. Nëse dëshironi t’ju kontrollojë mjeku duhet të vini ditën e nesërme më tha. Pikat qe ua hodha në sy do ju ndihmojnë dhe mund të merrni vitaminë C sepse nuk është rrezik, më tha infermierja”, tha qytetari i revoltuar.
Ai shtoi se “nuk është normale që të ketë mungesë të mjekëve në këtë repart, si mund bile një infermiere të mos tregojë prej në fillim se nuk është mjeke, kjo është e patolerueshme për arsye se sytë janë pasqyra e shëndetit”.
Një qytetar nga fshati Çerkez i Komunës së Kumanovës tregoi se në mungesë të mjekëve dhe aparateve në Spitalin e Kumanovës, është dashur të merr udhëzim që mjekimin e syve ta vazhdojë në Shkup.
“Kam pasur probleme me sytë dhe rregullisht më duhet të bëja kontrolle në Spitalin e Kumanovës, por për fat të keq isha i detyruar t’i ndërpres dhe mjekimin ta vazhdoj në Shkup, sepse në këtë repart mungojnë disa aparate. Duhet të ketë edhe këtu mjekë specialistë në çdo kohë sepse si qytetar i cili punoj në Kumanovë nuk kam kohë të shkoj gati për çdo javë në Shkup për kontrolle, dhe kjo gjë më kushton”, tha ai.
Infermierët e kryejnë punën e mjekëve
Portalb.mk më 11 nëntor vizitoi Repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Kumanovës. Duke folur në lidhje me problemet që kanë pacientët e tyre, një infermiere tregoi se ka mungesë të stafit.
“Në Repartin e Oftalmologjisë ditëve të punës ka mjekë deri në ora 15:00. Mirëpo gjatë festave dhe në fundjavë nuk ka mjekë kujdestar, dhe aktualisht një mjek është në pushim mjekësor. Unë si infermiere me përvojë pune që jam, ka raste që kur nuk është mjeku dhe kur jam në ndërrim i trajtoj pacientët dhe iu ndihmoj, pa marrë parasysh a i ka mbetur diçka në sy apo infeksion sepse më vjen keq që pacientët t’i lë në atë gjendje,”, tha një infermiere.
Ajo theksoi se ka vetëm një aparatë të ri në këtë repart, ndërsa të tjerët janë të vjetëruar.
Nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk, duke mos u përgjigjur konkretisht për problemin e kujdestarisë, thonë se në Spitalin e Kumanovës ka katër mjekë të specializuar në këtë repart dhe një mjek që është duke kryer specializimin.
“Po ashtu, në rajonin e komunës së Kumanovës, në Programin për specializime dhe subspecializime janë planifikuar specializime në oftamologji në ISHP në Kumanovë dhe në ISHP në Likovë, dhe në thirrjen publike për punësimin e specialistëve privatë, interes kanë shprehur dy mjekë për specializim në këtë fushë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka folur për mungesën e mjekëve në Maqedoninë e Veriut duke treguar se mungojnë së paku 1000 mjekë.
“Cilët janë kandidatët e mundshëm për të ikur nga vendi? Shpresoj që vitin e ardhshëm të gjejmë një zgjidhje, përveç 300 kursantëve, të punësojmë rreth 300-400 mjekë, që do të na mundësojë të kemi njëfarë qëndrueshmërie të spitaleve, sidomos në vendet rurale”, thotë Taravari, në një prononcim për Zërin e Amerikës.
Taravari thekson se për tejkalimin e kësaj situate është marrë vendimi i qeverisë për punësimin e 600 specializantëve privatë. Treqind prej tyre deri në fund të këtij viti dhe treqind të tjera vitin e ardhshëm. Po ashtu, Taravari pret që deri në fund të vitit të zgjidhet statusi i 1200 punonjësve të tjerë shëndetësorë, disa prej të cilëve punojnë me kontratë prej 10 vitesh.
Në muajin korrik të këtij viti, qytetarët e Kumanovës u ankuan se në Spitalin e Kumanovës nuk ka pajisje ekografike dhe detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private.
Ndërkaq në prill të këtij viti përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë zhvilluan protestë para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar rritje pagash.