Temperaturat nën zero gradë të parashikuara për të hënën në Washington bënë që planet të ndryshonin dhe, për herë të parë në katër dekada, presidenti i zgjedhur Donald Trump do të bëjë betimin e tij në brendësi të Rotondës së Kapitoliumit. Kjo do të thotë se pothuajse të gjithë ata që vizitojnë Washingtonin nuk do të mund ta shohin ceremoninë personalisht, raporton Associated Press.
Do të jetë hera e parë në 40 vitet e fundit që betimi i presidentit nuk do të zhvillohet në shkallët e Kapitoliumit. Njoftimi erdhi të premten dhe organizatorët u munduan të përshtaten brenda kohës së mbetur. U bënë plane për të akomoduar një pjesë të pjesëmarrësve në arenën e basketbollit dhe hokejit të qytetit, Capitol One.
KU DO TË BËJË BETIMIN TANI TRUMP?
Rotonda është përgatitur si një alternativë për çdo betim, në rast të motit të pafavorshëm. Betimi u zhvendos për herë të fundit në brendësi në vitin 1985, kur presidenti Ronald Reagan nisi mandatin e tij të dytë. Prognoza për të hënën parashikon temperaturat më të ulëta që nga ai vit i betimit.
Presidenti Joe Biden, anëtarët e Kongresit dhe personalitete të tjerë të shquar do të mund ta shohin ceremoninë nga brenda Kapitoliumit. Që nga e premta, punëtorët kanë filluar të instalojnë një skenë të vogël në Rotondë.
Policia e Kapitoliumit të SHBA njoftoi se zonat e jashtme, ku duhej të ishin bileta, do të jenë të mbyllura “për shkak të të ftohtit ekstrem”, kështu që, edhe nëse njerëzit do të donin të mblidheshin aty ndërkohë që Trump do të bënte betimin në brendësi, nuk do t’u lejohej ta bënin këtë.
SA FTOHTË DO TË JETË TË HËNËN?**
Shërbimi meteorologjik kombëtar parashikon që temperatura do të jetë rreth 22 gradë Fahrenheit (minus 6 gradë Celsius) në orën 12:00, kur Trump do të bëhet president. Kjo do të ishte temperatura më e ulët që nga betimi i dytë i Reagan, kur temperaturat ranë në 7 gradë (minus 14 gradë Celsius).
“Prognoza për motin në Washington, D.C., me faktorët e erës mund të sjellë temperatura shumë të ulëta,” shkruajti Trump në platformën e tij Truth Social. “Ka një valë arktike që po kalon nëpër vend. Nuk dua të shoh njerëz të lënduar apo aksidentuar, në asnjë mënyrë,” shpjegoi ai.
Në vitin 2009, temperatura ishte 28 gradë (minus 2 gradë Celsius) gjatë betimit të Barack Obama. Katër vjet më parë, Biden bëri betimin në një temperaturë relativisht të butë prej 42 gradë (5,5 gradë Celsius).
Disa demokratë ironizuan vendimin e Trump. Tim Walz, guvernatori i shtetit të Minnesota, i cili ishte bashkëkandidat i Kamala Harris në fushatën demokratike të vitit 2024, postoi një foto duke qëndruar në këmbë në një stuhi dëbore, me koment: “Nuk ka mot të keq, por vetëm rroba të këqija.”
Temperatura e parashikuar për të hënën është afërsisht e njëjtë me atë që ishte në Washington para 64 vjetësh, kur John F. Kennedy bëri betimin në një të ftohtë prej 22 gradësh dhe pas një nate pune për të larguar 20 cm borë të freskët nga rruga e paradës. Kennedy mbajti fjalimin e tij nga shkallët lindore të Kapitoliumit, pa pallto, dhe frymëmarrja e tij e ngrirë ishte e dukshme ndërsa fliste.
Një gjysmë shekulli më herët, William Howard Taft bëri betimin e tij, në vitin 1909, në brendësi, pasi ra 20 cm borë. Atëherë, betimi u bë më 4 mars, jo më 20 janar.
SA PËRSONA MUND TË MARRIN PJESE NË BETIMIN NË BRËNDSI?
Në postimin e tij për ndryshimin e planit për shkak të motit, Trump tha se “personalitete të ndryshme dhe ftuar të veçantë” do të çohen në Rotondë për ceremoninë. Nuk është e qartë se sa persona ose kush do të jenë ata.
Sipas një njoftimi nga sergenti i armëve të Dhomës së Përfaqësuesve dërguar zyrave të Kongresit, shumica e vendeve që ishin planifikuar për ceremoninë në natyrë do të anulohen dhe ato bileta do të bëhen “komemorative”. Organizatorët ende nuk kishin marrë një vendim të shtunën nëse mund të pranojnë ata që kishin bileta për seksionet 3 dhe 4, që do të ishin pikërisht përpara skenës në natyrë.
Rotonda mund të akomodojë vetëm rreth 600 persona, sipas Komitetit të Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inaugurale.
Sipas postimit të Trump, Arena Capitol One – ku presidenti i ardhshëm planifikon të mbajë një tubim të dielën pasdite – do të jetë e hapur përsëri të hënën për “shikimin LIVE të këtij eventi historik”. Deri tani, nuk ka informacion në lidhje me mënyrën se si publiku mund të regjistrohet për një vend në arenë të hënën. Arena mund të akomodojë 20,000 persona.
ÇFARË NDODH ME PARADËN? A DO TË NDALET?
Trump tha gjithashtu se Arena Capitol One do të “akomodojë paradën presidenciale”. Ai premtoi se do t’i bashkohet turmës në Capital One pasi të bëjë betimin.
Parada është e menaxhuar nga Forca e Posaçme e Rajonit të Kryeqytetit Kombëtar, e cila po mundohet të kuptojë çfarë ndryshimesh duhet të bëhen dhe si do të vazhdojë parata.
Normalisht, mijëra njerëz rreshtohen përgjatë rrugës nga Kapitoliumi në Shtëpinë e Bardhë, të cilën presidenti e kalon zakonisht pas ceremonisë së betimit. Orkestrat dhe pjesëmarrës të tjerë nga e gjithë Amerika vijnë në Washington për të marrë pjesë, prandaj pritet që edhe ata të bëjnë pjesë në festimet e brendshme të organizuara tani.
A KANË VEND TË TJERA AKTIVITETE INAUGURALE?
Sipas Trump, po. Presidenti i zgjedhur republikan tha të premten se ngjarjet e tjera inaugurale, duke përfshirë mitingun e dielën dhe pjesëmarrjen e tij në tre balo inaugurale të hënën në mbrëmje, do të zhvillohen sipas programit.
A DO TË RIMBURSOHEN BILETAT E ANULUARA?
Biletat për inaugurimin e planifikuar fillimisht në natyrë janë falas, kështu që nuk janë të nevojshme rimbursime.
Kërkesat e Associated Press për planet e mundshme të American Airlines dhe United Airlines për të ofruar rimbursime ose aranzhime të tjera për udhëtarët që ndryshojnë planet e tyre nuk morën përgjigje menjëherë. Delta Airlines dhe Southwest Airlines nuk planifikuan ndonjë ndryshim të politikës. Kërkesa të ngjashme drejtuar grupeve të hoteleve, përfshirë Hilton, IHG, Marriott dhe Best Western Hotels, nuk morën përgjigje menjëherë.
Një zëdhënës i Departamentit të Transportit u këshilloi udhëtarëve të gjejnë informacion në udhëzuesin e tij për konsumatorët “Fly Rights” në www.transportation.gov/airconsumer/fly-rights.