Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në konferencën për media pas nënshkrimit të grantit nga presidentja Osmani në vlerë prej 34.5 milionë dollarë me USAID-in, theksoi se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet i palëkundur ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ani pse tha se disa fusha të bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës janë më pak pozitive, Hovenier shtoi se përkushtimi mbetet i hekurt ndaj shtetit të Kosovës.
Ambasadori amerikan shtoi se përkushtimi ndaj popullit të Kosovës jo “medoemos vlen për veprimet dhe zgjedhjet politike të caktuara të ndonjë qeverie”.
“Por edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE, unë besoj se kjo qartë nëvizon këtë qëllim. Megjithatë, më duhet ta pranoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet dhe zgjedhjet politike të caktuara të ndonjë qeverie”.
Hovenier tha se aktualisht Shtetet e Bashkuarat të Amerikës po përballen me disa sfida me Qeverinë Kurti, gjë që sipas tij kjo ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes tyre.
“Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me veprimet e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të udhëhequra nga Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Siç e kemi thënë edhe javën e shkuar po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”, tha Hovenier sot në konferencën për media.
Debati për hapjen e Urës së Ibrit ka bërë që Kosova të kritikohet nga BE-ja dhe ShBA-ja, të cilët kanë thënë se një vendim i tillë duhet të bëhet me koordinim, dhe me veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës.
Për raportet me ShBA-në, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se s’ka dëmtim të raporteve dhe se marrëdhëniet që po ndërtohen janë më të fuqishme se kurrë më parë.
Kryeministri Kurti ka thënë se “nuk ngjasoj me kryeministrat para meje”.
“Nuk besoj që ka kurrfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje. Por unë besoj që marrëdhëniet që po i ndërtojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë”, ka deklaruar Kurti.