Gjykata Themelore e Prishtinës pritet të marrë vendim për paraburgimin e kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe zyrtarit të të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, Naim Shalaku.
Gjykata Themelore e Prishtinës do të vendosë të shtunën për paraburgimin e kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe zyrtarit të të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, Naim Shalaku, të cilët u ndaluan nga Policia e Kosovës të enjten për 48 orë, pasi u intervistuan nga Departamenti i Krimeve Ekonomike.
Seanca dëgjimore është caktuar të mbahet nga ora 09:00.
Përveç avokatit mbrojtës të Nikçit, Arianit Koci, i cili deklaroi të enjten se ndalimi i tij ka qenë “i panevojshëm” dhe “i pabazuar”, atij në mbrojtje i është dalë edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Murati e ka quajtur Nikçin “profesionist”, i cili, ndonëse nga Prokuroria Themelore e Prishtinës u tha se është arrestuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë, sipas ministrit, ai është arrestuar për çështje administrative.
Tre vjet më parë, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e kishte emëruar Hekuran Nikçin si Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës. Ai e kishte ushtruar detyrën e Kryeinspektorit në mënyrë të kundërligjshme, meqë nuk ishte shpallur fare konkursi publik i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publik.
Ai vazhdoi ta mbajë këtë pozitë edhe pse në një aktgjykim të Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi fillestar i Themelores që konstaton se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte të drejtë kur nxori vendimin se emërimi i tij ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktgjykimin e datës 9 shtator të cilin e posedonte Albanian Post, Apeli kishte rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin KPMShCK-së për shkeljen në emërimin e Kryeinspektorit të Punës.
Madje aty theksohej se në një afat prej 15 ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nga dita pranimit të aktgjykimit duhet ta anulojnë vendimin për emërimin e Nikçit si Kryeinspektor i Punës.
Paraprakisht, gjatë muajit prill të vitit 2024 edhe Gjykata Themelore kishte vendosur që të hidhet poshtë si të pabazuar padinë e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohej vendimi i KPMShCK-së për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
Në nëntor, Albanian Post kishte siguruar e-mailat në të cilët Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, kishte qortuar Shefin e Inspektoratit të Punës në rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliun, pasi ky i fundit kishte bashkëpunuar me prokurorinë dhe policinë e krimeve ekonomike për të gjurmuar linjat kriminale të kompanisë së Milan Radojiçiç-it, RAD d.o.o.
Në e-mailat që ekskluzivisht i kishte siguruar AP, kuptohej se si Nikçi fillimisht kishte kërkuar llogari se përse institucioni bashkëpunoi me hetuesit policorë dhe më pas kishte kërcënuar Shefin e Inspektoratit të Punës në Rajonin e Mitrovicës se do t’i jepte nota të dobëta në vlerësimet për vitin 2024 – vlerësime që mund të çonin deri në largimin e tij nga puna.
Krejt kjo, pasi ai kishte autorizuar dërgimin e dokumenteve që policia i kërkonte për të hetuar linjat financiare të kompanisë, përmes së cilës Radojiçiç fitonte tenderë nga Qeveria e Kosovës, Serbia dhe Bashkimi Evropian, duke shpëlarë para për të financuar veprimtarinë terroriste të grupit të tij.