Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu priti sot në Kuvend ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, shkruan Gazeta Infokus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu tha se me të diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, modernizimin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve.
“Biseduam për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në modernizimin e administratës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zbatimin e reformave në kuadër të integrimit evropian. Në këtë drejtim, shkëmbimet ndërmjet administratave tona do të na mundësonin të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të përfitojmë nga përvoja e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Haxhiu.
Kryeparlamentarja vlerësoi kontributin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe mbështetjen e këtij vendi për rrugën evropiane të Kosovës.