Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se Kryeshefi në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive, Dardan Velija ka larguar nga puna Mehmet Tinovën, vëllanë e dëshmorit Uran Tinova.
Sipas Haxhiut, Veliajt nuk i mjaftoi paga e kryeshefit e granti për bujqësi, teksa tash ka filluar përndjekjen e familjarëve të dëshmorëve.
Sipas Haxhiut, Tinova i cili është larguar nga puna ka probleme shëndetësore.
“Këto ditë ai e ka larguar nga puna vëllaun e dëshmorit Uran Tinova, Mehmetin, duke qenë person me probleme shëndetësore, kufizim në lëvizje, por i aftë profesionalisht t’i kryej detyrat për pozitën që ishte emëruar”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas Haxhiut, largimi i Mehmet Tinovës u bë me qëllim që ta emëronte një drejtor tjetër të prokurimit.
Deputeti tutje ka shtruar pyetje se pse Velija po përfiton kaq shumë nga Kurti. Ai i ka dhënë disa hipoteza.
“Po përse vallë Dardan Veliaj po përfiton kaq shumë nga Qeveria Kurti?
A janë këto benificione e pëfitime për faktin se ai ishte me Albin Kurtin në Binçe në takim me vëllezërit Donqiq, me 17.01.2004?
Apo i dhurohen favore e perfitime Dardan Veliajt nga Albin Kurti që ai te mos flas për hollësitë e takimit ne Binqe”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, Dardan Velija, një nga emrat më të përfolur së fundmi për lidhjet e tij të ndërlidhura me qeverinë dhe historitë e mëparshme të dyshimta, është bërë përsëri qendra e vëmendjes pas fitimit të një granti të madh.
Kompania ku Velija është bashkëpronar së bashku me Naim Huruglicën, këshilltarin e jashtëm të Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ka fituar një grant prej 100 mijë eurosh nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Kjo ka ngjallur reagime të forta, duke sugjeruar një lidhje të qartë ndërmjet interesave të ngushta personale dhe favoreve të mundshme politike.
Ky zhvillim ngre dyshime se si Velija dhe bashkëpunëtori i tij, Huruglica, kanë arritur të përfitojnë këto grante dhe si përfshirja e tyre në pozicione kyçe i ka ndihmuar në këtë proces.