Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris e sulmoi të martën Donald Trumpin në mitingun e saj të parë të fushatës në Milwaukee, në shtetin e Wisconsin-it, që kur e zëvendësoi presidentin Joe Biden si kandidat demokrat për president, ndërsa një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se ajo ka një epërsi minimale ndaj rivalit të saj republikan.
Wisconsin bën pjesë në një treshe shtetesh “Rust Belt”, së bashku me Michigan dhe Pennsylvania, të cilat janë thelbësore për shanset e demokratëve për të mposhtur Trumpin, saktëson Reuters.
Në një fjalim 17-minutësh, Harris kritikoi agresivisht dobësitë e Trumpit, duke krahasuar të kaluarën e saj si ish-prokurore me historinë e miliarderit republikan si i dënuar për krime.
Harris përmendi një listë me përparësi liberale, duke thënë se, nëse do të zgjidhet, do të veprojë për të zgjeruar aksesin në abort, për të lehtësuar anëtarësimin e punëtorëve në sindikata dhe për të trajtuar dhunën me armë, duke qenë në kontrast të fortë me Trumpin, kandidatin republikan për president në zgjedhjet e 5 nëntorit.
“Donald Trump dëshiron ta çojë vendin tonë prapa,” tha ajo përpara një turme prej disa mijëra njerëzish në West Allis Central High School në një periferi të Milwaukee, në Wisconsin, një shtet me rol thelbësor në vendosjen e rezultatit të zgjedhjeve. “A duam të jetojmë në një vend të lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës, apo në një vend të kaosit, frikës dhe urrejtjes?” shtoi ajo.
Mitingu ishte në kontrast të konsiderueshëm me ngjarjet më të vogla dhe më të qeta që organizonte Biden, duke theksuar shpresën e demokratëve se Harris, 59 vjeç, mund të ringjallë atë që ishte një fushatë e stagnuar nën Biden, 81 vjeç. Publiku kërceu dhe valëviste pankarta me emrin e Harris-it, ndërsa thirrjet “Ka-ma-la!” shpërthyen kur ajo hipi në skenë.
Ajo theksoi angazhimin e saj për të drejtat riprodhuese, një çështje që i ka prekur republikanët që kur Gjykata Supreme e SHBA-së – e përbërë nga tre gjyqtarë të emëruar nga Trump – eliminoi të drejtën për abort në nivel kombëtar në 2022.
Harris e ka përparësinë ndaj Trumpit, me 44% ndaj 42%, ndër votuesit e regjistruar, sipas një sondazhi kombëtar të Reuters/Ipsos realizuar të hënën dhe të martën, pasi Biden hoqi dorë nga gara të dielën dhe ofroi mbështetjen e tij për zëvendëspresidenten e tij.
Një sondazh i Reuters/Ipsos nga java e kaluar tregoi se Biden, para se të përfundonte fushatën e tij, e kishte përparësinë ndaj Trumpit me dy pikë përqindjeje.
Epërsia e të dyve ishte brenda kufirit të gabimit prej tre pikë përqindjeje të sondazhit. Por rezultatet mund të sinjalizojnë një lëvizje të kufizuar në drejtim të demokratëve – dhe mund të sugjerojnë që vendosja e Harris-it në krye të listës ka zvogëluar çdo impuls që Trump shpresonte të merrte nga Konventa Kombëtare Republikane e javës së kaluar, gjithashtu në Milwaukee.
Trump dhe aleatët e tij kanë përpjekur të krijojnë një lidhje midis Harris dhe disa prej politikave më të papëlqyera të Bidenit, përfshirë menaxhimin nga administrata e tij të valës së migrantëve në kufirin jugor me Meksikën.
Në një konferencë telefonike të mbajtur të martën me gazetarët, Trump shprehu besimin në aftësinë e tij për ta mposhtur Harris, duke përmendur se kandidatura e saj e mëparshme presidenciale në 2020 nuk mbijetoi as deri në konkursin e parë të nominimit në nivel shtetëror.
Trump ka ofruar të ketë një debat me Harris disa herë. Trump dhe Biden kishin edhe një debat të planifikuar për 10 shtator, pas takimit të tyre të 27 qershorit. Performanca e dobët e Biden-it atë natë çoi në thirrje nga demokratët që ai të tërhiqej.
“Unë dua të debatoj me të, dhe nuk do të jetë ndryshe, sepse ata kanë të njëjtat politika,” tha Trump.
Harris e konsolidoi shpejt mbështetjen e partisë pasi Biden, 81 vjeç, hoqi dorë nga fushata e tij për rizgjedhje nën presionin e anëtarëve të formacionit të tij, të cilët ishin të shqetësuar për aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin, 78 vjeç, ose për të shërbyer vendin për një mandat tjetër katërvjeçar.
Ajo finalizoi nominimin të hënën në mbrëmje, duke fituar premtime nga shumica e delegatëve që, në konventën e partisë muajin e ardhshëm, do të përcaktojnë kandidatin, transmetoi ekipi i saj i fushatës.
Fushata e saj deklaroi se ka mbledhur 100 milionë dollarë që nga e diela.