Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fushata në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, ka treguar sukses, dhe për këtë ka falënderuar Ambasadën e Britanisë së Madhe për mbështetjen.
Në një konferencën për media së bashku me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, Haxhiu tha se qëllimi është edukimi i publikut mbi raportimin e dhunës.
“Me mbështetjen e Ambasadës britanike, ne kemi arritur që ta ngremë një fushatë që frymëzon veprim. Sot dhe çdo ditë tjetër mund të ndërhyjmë kur ka situata të papërshtatshme. Kjo fushatë ka adresuar disa raste kyç. Edukimin e publikut mbi raportimin e dhunës, partneriteti ndërmjet MD-së dhe Qeverisë britanike, ku ka sjellë në Kosovë praktikat e Britanisë së Madhe lidhur me këtë çështje”, u shpreh Haxhiu.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se as Mbretëria e Bashkuar dhe as Kosova nuk janë imune ndaj dhunës me bazë gjinore.
“16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore janë një moment i rëndësishëm për të gjithë ne për të përforcuar angazhimin tonë për të trajtuar këtë problem të përbashkët global. Dhuna me bazë gjinore është një krizë globale urgjente. Një në tre gra në mbarë botën do të përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre, shumë nga duart e partnerit ose të një anëtari të ngushtë të familjes. As Mbretëria e Bashkuar e as Kosova nuk janë imune nga kjo epidemi dhe ne të dy kemi parë rritje shqetësuese të numrit të rasteve të raportuara në forcat tona përkatëse të policisë në vitet e fundit. Do të ishim naivë nëse mendonim se nivelet e rritura të raportimit mund të jenë përgjegjëse për të gjitha këto”.