Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka thënë se shteti i tij vazhdimisht i kërkon Serbisë përgjegjësi për sulmuesit në Banjskë.
Ai e ka quajtur sulmin në Banjskë incident serioz, duke shtuar se si pasojë e tij Britania e Madhe ka e parë të nevojshme që të zbarkojë trupa shtesë dhe për të siguruar se gjendja nuk do të përshkallëzonte edhe më tej.
“E di që hetimi po vazhdon si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi. Kështu që ne ende nuk kemi parë dëshmi përfundimtare se çfarë saktësisht po ndodhte në atë sulm dhe çfarë ka qenë plani dhe qëllimi. Kështu që mendoj se duhet lënë këto procese të kryhen sa i përket mbledhjes së dëshmive”, ka theksuar ai të martën në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Hargreaves ka thënë se presin që Serbia të ndërmarrë veprime lidhur me sulmin në Banjskë.
“Kemi qenë shumë të qartë me autoritetet serbe për atë se ne presim që t’i mbajnë para përgjegjësisë, ata që e bënë këtë incident kriminal. Ne ua ritheksojmë këtë autoriteteve serbe – kolegu im në Beograd dhe kolegët e tij të tjerë atje e bëjnë këtë rregullisht, pra presim që të ndërmerren veprime në Serbi lidhur me këtë”, është shprehur ai.
Kur është pyetur se si përgjegjësi për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq, endet i lirë në Serbi, ai ka theksuar se autoritet serbe i kanë siguruar se po merren me këtë.
“Siç e thashë, e bisedojmë shpesh këtë çështje me autoritetet serbe dhe ata na sigurojnë se po merren me këtë. Pra pasojat duhet të rrjedhin prej sistemit serb”, ka deklaruar Hargreaves.
Ambasadori i ri britanik: Ballkani është rajon i rrezikshëm
Sipas ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, Ballkani është rajon i rrezikshëm.
Hargreaves thotë se pavarësisht se nuk ka parë diçka konkrete, në rajon “ka shumë rreziqe”.
“Është një rajon i rrezikshëm. Ka shumë rreziqe në rajon dhe shumë arsye për të qenë të kujdesshëm. Natyrisht se nuk kam parë ndonjë evidencë të veçantë apo plan apo incident dhe ne bashkëpunojmë shumë afërt me kolegët e KFOR-t dhe Policinë në mënyrë që të kuptojmë këto rreziqe dhe nëse kemi të tilla, t’i zvogëlojmë këto rreziqe”, ka thënë ai në Interaktiv.
Ambasadori ka theksuar se politikanët duhet të ndërmarrin hapa që depërshkallëzojnë gjendjen ashtu që situata të mos bëhet e dhunshme dhe që veprimet që ata marrin të mos jenë provokuese.
“Dhe mbase një nga gjërat që duam t’i shohim këtu është një zë më i madh i të gjithë komuniteteve dhe veçanërisht i komunitetit serb në veri dhe që të jemi të harmonizuar se ku mund të ngritën tensionet dhe që të jemi në gjendje t’i përgjigjemi këtyre tensioneve”, ka përfunduar ai.