Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se propaganda e Serbisë kundër Kosovës s’u mor parasysh në Asamblenë Parlamentare të NATO-së
Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
I ftuar në “Five” të TV Dukagjinit, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se ky avancim vjen pas një pune afër dhjetë viteve nga qeveri të ndryshme.
Ai ka treguar edhe benefitet e avancimit.
“Tani me përpjekjen e vazhdueshme brenda 10 vjete, kemi arritë ta bindim asamblenë parlamentare të NATO-së, që t’ia japin parlamentit të kosovës, një status më të avancuar që e kemi pas. Përparësitë janë që pothuajse jemi bërë të barabartë me status të barabartë me vendin që kanë këtë status, bashkë me neve është pranu edhe Malta. Ne s’kemi të drejtë vetëm për votë, por kemi të drejtën me diskutimeve, propozimeve në komisione”, tha ai.
Haliti u shpreh se kishte një fushatë të Serbisë kundër avancimit të Kosovës, por që sipas tij shtetet anëtare nuk e morën fare parasysh.
Ai bëri të ditur se në ditën e votimit delegacionit serb nuk i është dhënë fare e drejta e fjalës.
“Letra kemi shkru edhe ne, Serbia ka ditë që byroja e asamblesë parlamentare të NATO-s, disa anëtarë të saj e kanë mbështet fuqishëm avancimin e statusit të parlamentit të kosovës në këtë institucion, e ka marrë një vendim që në seancën e tashme që Kosova ta marrë statusin e avancuar. E kemi ditë saktë që Serbia nuk ka çfarë bën në këtë rast, vendimet e Byros që janë vendimet e shteteve anëtare të NATO-s, të cilat kanë vendos që ta avancojnë statusin e delegacionit të Kosovës”, tha ai.
“Serbia, s’ka pas as të drejtë fjale, s’ia kanë dhen fjalën kur ka dalë në shqyrtim çështja e Kosovës. Delegacioni i Kosovës, një ditë para, ka biseduar me dy përfaqësues, njëri ndër ta ka qenë ish-kryetari i Listës serbe, Rakiq dhe një deputet një grua që është anëtare e delegacionin. Ata kanë diskutu me një ton të papranueshëm për asamblenë, duke përpjekur ta paraqesin kosovën që serbët nuk kanë të drejta, që s’funksionojnë kishat serbe… nuk ka pasur jehonë brenda institucionit, nuk është duk që ndonjë delegacion i ka dhënë mbështetje”, vijoi ai.
Kontribut të madh për avancimin e Kosovës, sipas Xhavit Halitit ka dhënë edhe delegacioni nga Shqipëria.