Bashkëshortja e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Lumnije Aliu është punësuar në punë të shtetit.
Aliu, gjoja ka dalë kandidatja më e suksesshme, në konkursin për pozitën e Ekspertit për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Njoftimi se gruaja e Ministrit Aliu është përzgjedhur për këtë pozitë është bërë me 8 korrik 2024 nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore e AIP-it.
“Kandidati fitues në bazë të vlerësimit profesional nga Komisioni i Përzgjedhjes në konkursin me numër RN00014237 për pozitën Ekspert për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, është: Kandidati Lumnije Aliu. Pikët totale: 82.00 pikë“, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.
Bazuar në disa deklarime të më hershme të pasurisë së Liburn Aliut, para se ai të kishte postin ministror, gruaja e tij deklaronte se ishte e punësuar në kompani private që lidheshin me lëminë e inxhinierisë dhe projektimeve. Për këtë, Gazeta Online Reporteri.net është interesuar të enjten në AIP rreth përgatitjes profesionale të Lumnije Aliut, sikurse edhe nëse ka pasur ndikime politike rreth përzgjedhjes së saj në këtë pozitë, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje.
Po ashtu, Gazeta Online Reporteri.net, të enjten ka provuar ta kontakojë me SMS edhe Ministrin Aliu për të konfirmuar se Lumnije Aliu është gruaja e tij, dhe nëse ai ka ndikuar në punësimin e saj në AIP, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Rehatimi i familjarëve të figurave të LVV-së në institucionet e shtetit, përmes punësimeve e avancimeve në detyrë, është rritur dukshëm në muajt e fundit, kur Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti po shkon drejt gjashtëmuajshit të fundit të mandatit qeverisës.
Më 15 korrik, po ashtu Gazeta Online Reporteri.net kishte zbuluar se si kunata e deputetit të VV-së, Agon Batusha, Anila Luzha ia ka mësyrë të bëhet Inspektore e Arsimit në Gjakovë, përmes një konkursi të shpallur nga Ministria e Arbërie Nagavcit.
“Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat…“, është një nga deklaratat më të famshme të Kryeministrit Kurti, kur si opozitar kritikonte nepotizmin në institucionet publike. /Reporteri.net/.